Ish-sulmuesi i zikaltërve, Ivan Zamorano ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka komentuar supersfidën e radhës mes Juventusit dhe Interit: “Ndeshja duhet përballuar me përgjegjësi dhe inteligjencë, pikërisht sepse është vendimtare.
Me Juventusin është gjithmonë e tillë, aq më tepër me këtë renditje. Kur vesh fanellën zikaltër, e para gjë që mëson është se duhet fituar ndaj Juventusit. Ju e quani ‘derbi italian’, për mua është një ‘Superklasike’.
Duke fituar në Torino, përveçse do të renditej pas Milanit, Interi do të largonte rivalët e tij më të mëdhenj. Megjithatë, për fat të keq, ky Juventus nuk është ai i brishti i fillimit të sezonit”.
Juventus-Inter do të jetë “një ndeshje shumë taktike, edhe sepse aksionet janë shumë të larta, veçanërisht për Interin”. Këtë prognozë bën në faqet e “Tuttosport” ish-mesfushori italian, tani komentatori televiziv Massimo Ambrosini.
Ai donte të theksonte nevojën absolute që ka skuadra e Inzaghit për tri pikët: “Nëse Interi nuk fiton këtë ndeshje, do ta kishte të vështirë të rikuperojë distancën me kreun në javët e mbetura të kampionatit. Kjo për shkak të rëndimit psikologjik dhe mbi të gjitha nëse Milani, por edhe Napoli do të fitonin ndeshjet e tyre.
Interi nëse dëshiron të qëndrojë plotësisht në garën për titullin duhet të marrë tri pikët, edhe nëse skuadra e Simone Inzaghi ka një ndeshje më pak dhe kalendar më të thjeshtë se Milani”.