Kreu i Kadastrës, Artan Lame tha se kalimi i shërbimeve publike online ka funksionuar edhe në këtë fushë, ku gjatë vitit të kaluar janë dhënë 1.51 milion shërbime kadastrale, nga të cilat 242 mijë certifikata pronësie. Sipas Lames, kjo i jep fund edhe historive të tjetërsimit të pronave.

“Në 30 vjet, çështja më stresuese për shqiptarët ka qenë prona dhe shërbimet me të, por për vitin e kaluar vetëm në këtë fushë u dhanë 1.51 mln shërbime kadastrale nga të cilat 242 mijë certifikata e pronësie, të gjitha online. Dyfishi i vitit paraardhës. Është e kaluar historia merrja pronën njërit jepja tjetrit. Tani kemi detyrë që edhe Lenës edhe Prenës t’i shërbehet njësoj dhe në kohë. Të gjithë në fillim kishim dyshime, unë i pari kisha shumë dyshime, por viti i kaluar tregoi se funksionon. Aplikimi qytetarëve në Kadastër ka ende probleme me vonesat, gabimet e bëra dhe mitmarrja dhe këto janë sfida e këtij viti për institucionin, por tashmë nuk ka më sportele, nuk janë më ata llafollogët e sporteleve, ata tashmë janë pas një kompjuteri ku nuk takojmë më njeri por presin aplikimin për ta ndjekur e për t’i dhënë përgjigje. Ajo që pritet nga qytetarët është që të kenë besim te sistemi”, tha ai.