Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim në takimin me një grup kompanish lider në SHBA dhe BE u shpreh se siguria energjetike është e lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare.

Kjo sipas Kim tregohet edhe më qartë në këtë situatë lufte, ku Rusia bën kërcënime të vazhdueshme. Diplomatja shtoi se pushtimi rusi i Ukrainës ka bërë të qartë nevojën e diversifikimit të burimeve të energjisë. Ajo theksoi se tashmë është koha për të vepruar.

“Jemi mbledhur të vendosur për sigurinë ndaj energjisë. Të gjithë kemi parë se pushtimi i paprovokuar dhe i pajustifikuar nga ana e Rusisë ka bërë të qartë se diversifikimi i energjisë nuk mund të presë. Kemi nevojë që të kemi më shumë gaz-sjellësa. SHBA dhe Evropa po përballen me një realitet të ri me sfida të reja. Sot shpresoj që të zhvillojmë ide reale.

Siguria energjetike ka qenë e lidhur me sigurinë kombëtare dhe ajo që po jetojmë sot e bën atë edhe më të dukshme. Të gjejmë rrugë të reja përpara për sigurinë energjetike dhe klimatike. Kjo është një nga arsyet kryesore pse u ndërtua gazsjellësi trans-adriatik. Jam e emocionuar që shoh kaq shumë drejtues nga sektori privat dhe qeveri të rajonit për të gjetur zgjidhje përballë këtyre sfidave”, shtoi ambasadorja.