Kryeparlamentari Glauk Konjufca pasi bëri homazhe në Mejë tha se nuk ka shpresa që Serbia të lejojë hapjen e territorit të saj për bërjen e hulumtimeve për të gjetur personat e zhdukur.
Ai tha se bashkë, institucionet dhe familjarët, duhet të shtojnë presionin ndaj Serbisë për të gjetur familjarët e tyre, duke thënë se Serbia është përgjegjëse jo vetëm për gjenocidin, por edhe për vendndodhjen e trupave.
“Me sa po e shoh unë, sa e kam vërejtur deri tash dhe mënyrën se si ka shkuar procesi i negociatave me Serbinë, nuk kam fare shpresë që Serbia do ta hapë territorin e saj për hulumtimin edhe për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë”, tha ai.
Ai tha se Masakra e Mejës është ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe dëshmi e pakontestueshme e gjenocidit serb.
“Kjo masakër tregon më së miri tregon se okupatori serb i vrau të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Pa dallim nëse ata ishin burra, gra, fëmijë, të fesë myslimane apo të krishterë, në Mejë mund ta gjeni të gjithë popullin e Kosovës të masakruar faktikisht”, u shpreh kryeparmanetari.
Konjufca tha se kjo masakër, sikurse gjithë të tjerat në Kosovë, është plagë e hapur derisa drejtësia vazhdon të mungojë.
“Për të gjitha masakrat në Kosovë ende s’ka drejtësi. Familjarët jetojnë me ankth dhe me pritjen e tyre, që është e përçdoditshme. Ata i mori shteti i Serbisë, ai është përgjegjës. Kushdo që e kërkon përgjegjësinë dhe jo vetëm përgjegjësinë për atë që ka ndodhur, por edhe trupat e tyre fizikisht ku ndodhën, kjo është Serbia dhe territori i saj”, tha ai.