Njohja e Krimesë si territor rus dhe pavarësia e republikave separatiste të Luhanskut dhe Donjeckut janë pikat që mbajnë peng marrëveshjen përfundimtare mes Kievit dhe Moskës për zgjidhjen përfundimtare të krizës ukrainase.
Agjencia e lajmeve Reuters citon kreun e delegacionit rus Vladimir Medinski, i cili tha se në takimin online të së premtes nuk u bë asnjë përparim në këtë drejtim. Ai hodhi poshtë deklaratat e palës ukrainase se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e takimit mes Presidentëve Zelenski e Putin. Sipas Medinskit, është pikërisht kjo çështje që bën të pamundur për momentin, mbajtjen e takimit kokë më kokë mes Presidentëve që do të realizohet vetëm kur të jetë krijuar korniza e plotë e marrëveshjes përfundimtare.
Kievi nuk heq dorë nga qëndrimi i shprehur publikisht edhe nga Presidenti Zelenski, sipas të cilit Ukraina nuk do të lëshojë asnjë centimetër nga territori i saj sovran. Ndërsa për Moskën, kushte të panegociueshme janë njohja nga Ukraina e Krimesë si territor rus dhe e pavarësisë së dy republikave të vetëshpallura lindore.
Megjithatë, kryenegociatori rus pranoi përparimin në çështjen e neutralitetit të Ukrainës. Sipas tij, me Kievin është rënë dakord që të heqë dorë nga antarësimi në NATO, të mos ketë armë bërthamore apo të pranojë ngritjen e bazave ushtarake në territorin e vendit. Për Kievin, dakordësia për këto pika është e mjaftueshme për organizimin e një takimi Zelenski – Putin. Raundi i radhës i negociatave mes delegacioneve pritet të zhvillohet të hënën.