Gjatë konferencës së përbashkët me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, zotin Varhelyi, Kryeministri Rama foli për pozicionin e BE-së lidhur me rajonin, duke theksuar sinergjinë e arritur mes SHBA dhe Bashkimin Europian në këtë moment, që ka rëndësi historike sipas tij.
“Nuk është e drejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë më shumë vëmendje në rajonin e Ballkanit se Bashkimi Europian, kanë vëmendje të ndryshme dhe këtu nuk po them diçka diplomatike, por diçka shumë të vërtetë, edhe falë politikës së re të ndjekur nga Komisioneri Varhelyi, i cili është personi që BE i ka besuar të kujdeset për këtë rajon, prandaj i beson kur flet për rajonin, ka rritur vëmendjen si asnjëherë më parë ndaj këtij rajoni,” tha Rama duke theksuar cilat janë investimet e mëdha të BE-së në Shqipëri dhe rajon.
”Plani ekonomik i investimeve nuk ka ndodhur më parë dhe nuk bëhet fjalë për investime pak më të mëdha se ato që bëjmë vetë, janë shumë më të mëdha se sa ato që vendet e Ballkanit mund të bëjnë vetë.
Komisioneri nuk e përmendi, para se të vinte këtu ishte në territor për të parë disa investime të Bashkimit Europian. Ne kemi vendosur shumë të ardhura të shtetit për Rindërtimin, por Bashkimi Europian ka vendosur po ashtu një fond të konsiderueshëm fondesh, jo kredi, por grant për shkollat dhe kopshtet. Gjithë ai program ambicioz i shkollave dhe i kopshteve është një program ku Shqipëria ka ndërtuar një pjesë dhe BE një pjesë tjetër, ndërkohë që cilësia e punës dhe e kushteve të krijuara për fëmijët dhe mësuesit flasin vetë.
BE bashkë me Shqipërinë është angazhuar shumë seriozisht për një projekt shumë të rëndësishëm strategjik, Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, dhe qoftë Varhelyi i pari, qoftë Komisioni si i tërë, dhe Shqipëria kemi intensifikuar bisedat me Azerbaxhanin për të pasur kapacitet të plotë për fillimin e ndërtimit të tij.
Këtu fondet i vë Bashkimi Europian, edhe pse mund të ketë aktorë të tjerë që mund të vendoset të përfshihen si partnerë në këtë investim të madh” shtoi Kyeministri.
Rama theksoi se SHBA dhe BE janë për herë të parë në sinergji të plotë edhe lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.
“Nuk do thoja që SHBA e ka më shumë në vëmendje rajonin se Bashkimi Europian. Sot kemi sinergji të plotë mes SHBA dhe BE, është shumë me rëndësi edhe kjo, sepse nuk ka qënë kështu në çdo moment. Kemi sinergji të plotë, edhe SHBA nga ana e tyre, nëpërmjet figurave të tyre janë në një proces për të shtyrë përpara negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut,” deklaroi Kryeministri Rama.