Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Roberto Fico, i cili me ftesë të znj. Nikolla po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Shqipëria dhe Italia janë partnerë strategjikë dhe mes dy vendeve po zhvillohet një bashkëpunim i shkëlqyer.

Italia është partneri i parë tregtar dhe një nga donatorët kryesor të Shqipërisë.

“Dy vendet tona i lidh një miqësi e hershme dhe e fortë. Italia ka qenë një mike e vyer e Shqipërisë në kohë të mira, por veçanërisht në kohë të vështira. Për gjysëm shekulli, Italia ka qenë dritarja prej së cilës shqiptarët shihnin Evropën dhe demokracinë. Ne i jemi mirënjohës Italisë, si avokatja e integrimit evropian të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve është nxitëse e kësaj avokatie. Arbëreshët dhe emigrantët, janë ura të fuqishme miqësie e bashkëpunimi.  Vlerësoj nismën e parlamentit italian për fillimin  e negocimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore. Vlerësoj bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe universiteteve dhe ruajtjen e zhvillimin e gjuhës e kulturës shqiptare në Itali. Marrëveshja që po nënshkruajmë sot do të intensifikojë bashkëpunimin parlamentar si nxitës i marrëdhënieve midis të dy vendeve.”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Roberto Fico, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe vuri në dukje se midis Shqipërisë dhe Italisë ekziston një bashkëpunim i ngushtë, miqësor e vëllazëror shumëplanësh. Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy parlamenteve do të jetë një instrument që do të nxisë jo vetëm bashkëpunimin parlamentar, por edhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Grupi i përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes do të fillojë menjëherë nga puna. Presidenti Fico bëri me dije se Dhoma e Deputetëve po punon për hartimin e legjislacionit për dhënien e shtetësisë fëmijëve të emigrantëve në Itali, pas përfundimit të ciklit të shkollimit.

Kryetarja Nikolla dhe Presidenti Fico vlerëesuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjatë kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së në vitin 2020 si edhe në kuadër të Këshillit të Evropës, ku Italia aktualisht kryeson Komitetin e Ministrave.

Kryetarja Nikolla dhe Presidenti Fico theksuan gjithashtu se të dy vendet kanë dënuar agresionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës dhe nënvizuan se Shqipëria dhe Italia janë kantribuese të miqësisë, paqes, sigurisë e stabilitetit dhe kundërshtare të papajtueshme të agresioneve ushtarake dhe dhunës që shkelin sovranitetin e tërësinë territoriale të vendeve sovrane dhe synojnë të robërojnë popujt dhe vendet  e tjera.

Kryetarja Lindita Nikolla dhe Presidenti Roberto Fico nënshkruan edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputetëve. Marrëveshja parashikon mbështetjen e bashkëpunimit midis dy parlamenteve, bashkëpunimin për vendimmarrje të përbashkëta në organizatat parlamentare ndërkombëtare mbi tema me rëndësi thelbësore, si ato lidhur me Bashkimin Evropian, çështjet e sigurisë etj.; shkëmbime periodike të funksionarëve dhe shërbimeve parlamentare; ndërmarrjen e nismave të përbashkëta  për procedurat e përafrimit e harmonizimit me legjislacionin e BE-së  etj.