Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite zyrtare në Itali ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme.

Pas takimit në Vatikan me Kardinal Michael Czerny, drejtues i Ministrisë së Zhvillimit dhe Integrimit Njerëzor në
Vatikan, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, e shoqeruar edhe nga delegacioni Prof. Arben Gjata, Prof. Xheladin Draçinin, Prof. Anila Godo, Prof. Alma Idrizi, Ministrja Manastirliu ka zhvilluar një tjetër takim të frytshëm me Rektorin e Universitetit të Romës Tor Vergata, Prof. Orazio Schillaci për të formalizuar bashkëpunimin në një marrëveshje konkrete me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Ministrja Ogerta Manastirliu, takoi gjithashtu shenjterinë e tij Papa Francesco gjatë audiencës së mbajtur në Vatikan.

Më herët Manastirliu bëri me dije se është arritur të dakordësohet një marrëveshje e re me spitalin pediatrik “Bambino Gesu”, gjatë një takimi me Presidenten e këtij spitali, znj. Mariella Enoc, për një platformë të përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mjekëve të specializuar si dhe për mbështetjen e pacientëve të vegjël me sëmundje të rralla.