Të dhënat se trupat ushtarake ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur “krime lufte”, andaj janë shtuar thirrjet për më shumë masa ndaj Moskës, e cila raportimet i ka cilësuar si “provokime”. Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë thirrje më 4 prill që presidenti rus, Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte dhe ka thënë se planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë. “Ky njeri është brutal… ajo që po ndodh në Buça është mizore”, ka thënë Biden, duke iu referuar qytezës ukrainase jashtë Kievit, ku forcat ruse është raportuar se kanë vrarë dhjetëra civilë.

Sipas Bidenit, Putin është “kriminel lufte”. Komentet e tij kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka vizituar Buçan, ku zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë gjetur trupat e civilëve.

Moska ka hedhur poshtë këto deklarata dhe disa zyrtarë të Kremlinit i kanë përshkruar ato si “provokime” me qëllim të diskreditimit të Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se “ne hedhim poshtë të gjitha dyshimet”. Ai ka shtuar se Rusia është duke kërkuar një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar ato që Moska i konsideron si “provokime ukrainase”.

Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar, pa të dhëna, se imazhet në Buça janë “një tjetër inskenim i regjimit të Kievit” dhe se të gjitha trupat ushtarake ruse kanë lënë këtë qytezë para 30 marsit.

Komiteti për Hulumtime në Rusi ka thënë më 4 prill se do të nisë hetime nën akuzat se Ukraina ka përhapur “informacion të rremë” për veprimet e forcave ruse në Buça. Bashkimi Evropian ka nisur diskutimet për sanksione të reja kundër Rusisë pas raportimeve për mizori, ka thënë shefi i diplomacisë në BE, Josep Borrell. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë duke u koordinuar për sanksione të reja kundër Rusisë dhe planifikojnë që t’i prezantojnë ato këtë javë, ka thënë Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan. Sullivan ka thënë po ashtu se forcat ruse janë duke u ripozicionuar në rajonet e Ukrainës në lindje dhe jug, pas përballjes me rezistencë më të madhe sesa është pritur nga ukrainasit në Kiev.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë se synojnë tërheqjen e Rusisë nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut. Si përgjigje, Rusia tha se do të hakmerrej dhe “do të mbyllte derën e ambasadave perëndimore” tha ish-presidenti rus dhe nënkryetari i këshillit të sigurisë Dmitry Medvedev. “Do të jetë më e lehtë për të gjithë. Dhe pastaj ne do të përfundojmë vetëm duke e parë njëri-tjetrin në asnjë mënyrë tjetër veçse me armë”, paralajmëroi ai.