Vrasja e civilëve në Ukrainë dhe pamjet e masakrave ruse nga qytetet të cilat tashmë janë vendosur nën kontrollin e forcave ukrainase kanë ngritur në këmbë opinionin publik në mbarë botën. Fotot e rrugëve të mbushura me viktima civile nga Bucha, pas tërheqjes së forcave ruse kanë treguar brutalitetin e kësaj lufte.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një tjetër foto, që dëshmon mizoritë e forcave ruse ndaj civilëve. “Një foto sa 100 mijë fjalë. Çfarë kumti pikëllues në atë mbajtëse çelësash pranë dorës së pajetë”, tha Rama.

Trupat ruse akuzohen për masakrimin, torturimin dhe vrasjen e qindra civilëve në periferi të Kievit.

Të paktën 410 civilë mendohet se janë masakruar në Bucha dhe Irpin, ku janë gjetur trupa të pajetë të shpërndarë në rrugë dhe varre masive.