Policia e Korçës ka vënë në pranga një person, ka shpallur në kërkim një tjetër, ndërsa ka nisur hetimin ndaj një 15-vjeçari, pasi janë kapur duke vënë baste sportive në lokale në Korçë dhe Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 8, Korçë, në lokalin në përdorim të shtetasit B. M. 67 vjeç, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular i cili shërbente për vendosjen e basteve sportive. 67-vjeçari është vënë në pranga nga policia.
Gjithashtu në lagjen nr. 3, Pogradec, në lokalin e shtetasit D. Q., nga verifikimet e kryera rezultoi se një 15-vjeçar, i punësuar në këtë lokal në mënyrë të paligjshme, vendoste baste sportive për llogari të pronarit të lokalit, nga një aparat celular i cili iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Punësimi i paligjshëm”.