Sot u inaugurua Stadiumi i ri i Kukësit “ Kukës Arena”. Në ceremoninë e çeljes së këtij stadiumi merrnin pjesë kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Presidenti i FSHF-së Armando Duka, Kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici, përfaqësues të pushtetit Vendor, sportistë e trajnerë, si dhe tifozë të skuadrës së Kukësit

Gjatë fjalës së saj Ministrja Evis Kushi u shpreh se

Stadiumi tashmë ka marrë formën siç e meritojnë kuksianët dhe ekipi kuksian, një ekip që i ka dhënë tonin e duhur ndër vite kampionatit shqiptar të futbollit.
“Këtej e tutje do të luajë në shtepinë e vet, duke i dhënë fund ecejakeve në stadiume të tjera” – tha ministrja.

Ajo tha se në fillim të detyrës si ministre një nga personat e parë që e telefonoi ishte Kryetari i Bashkisë Kukës, jo për ta uruar por për t’i kujtuar premtimin e bërë nga qeveria për financimin e këtij stadiumi.

Ajo tha se sot ndjehet krenare për këtë premtim të mbajtur për sportin, për futbollin, por për Kukësin në veçanti.
“Jam e bindur që ky stadium do të sjellë jo vetëm zhvillim për sportin, por sidomos një zhvillim ekonomik dhe social, e së bashku edhe me aeroportin e ri, do ta bëjë Kukësin të njohur edhe në arenën ndërkombëtare”, – u shpreh ministrja.
Nga ana tjetër Kushi tha se pavarësisht sfidave të viteve të fundit, do të vazhdojë puna për zhvillimin e sportit.

“Ne duhet të investojmë edhe në kulturën sportive, si nga ana e ekipeve dhe federatave, ashtu edhe nga sportdashësit. Sporti duhet të jetë paqësor, simbol i ‘Fair Play’ dhe i solidaritetit.

Ajo ka falendëruar të gjithë ata që dhanë kontribut për ndërtimin e këtij stadiumi, e mbi të gjitha sportistët dhe sportdashësit që i japin jetë dhe gjallëri çdo ndeshjeje.