Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp ditën e sotme ka deklaruar se vitin e kaluar ekonomia shqiptare arriti të ripërtërihej pas vitit të vështirë pandemik, ritëm që ka vazhduar edhe këtë vit.

“Në vitin 2021 rritja ekonomike rezultoi 8.54%. Kjo rritje ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët ekonomikë veçanërisht në atë të ndërtimit. Edhe turizmi ka pasur një kontribut të madh. Rritja ka ardhur si nga treguesit e konsumit të popullatës dhe nga formimi bruto i kapitalit fiks,” u shpreh Ibrahimaj, duke shtuar se edhe në dy muajt e parë të këtij viti ka pasur rritje të të ardhurave me 26% krahasuar me 2021, ose e 18.1 mld lekë më shumë, e po ashtu edhe rritje kanë pësuar edhe të ardhurat doganore.

Një boom ka njohur edhe punësimi si dhe pagat mesatare. “Shkalla e punësimit ka vijuar që të shënojë rritje në 53.5% për popullsinë mbi 15 vjeç. Paga mesatare është rritur me 8% në krahasim me vitin e kaluar..’- tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se reforma e fiskalizimit ka vijuar ecurinë e saj pozitive. “Sa i përket shifrave të biznesit të vogël, mbi 80% kanë filluar procesin e fiskalizimit. Në përfundim të 6-mujorit të parë të këtij viti do përfundojë procesi i fiskalizimit për të gjitha subjektet,” tha ajo.