Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka mbajtur fjalën e saj në forumin “Rajoni, Europa dhe Siguria”, ku është ndalur të flasë për disa çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

“Sot është e pakundërshtueshme që kjo filozofi i ka dhënë frytet e saj dhe diplomacia shqiptare është duke përjetuar një periudhë të paprecedentë suksesesh e arritjesh.

Vetëm pak kohë pasi drejtoi me sukses Presidencën e OSBE, Shqipëria ulet sot në Këshillin e Sigurimit. Ne jemi sot, bashkë me Shtetet e Bashkuara e me ftesë të tyre bashkë-penëmbajtës të dosjes së Ukrainës, kapacitet në të cilin kemi luajtur një rol të rëndësishëm qoftë përmes kalimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme që i bënte thirrje Rusisë të ndalonte luftën, qoftë në vendimin për të përjashtuar Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, qoftë në themelimin e Grupit të Miqve për Llogaridhënie në Ukrainë i cili po punon për evidentimin e krimeve të luftës të kryera nga Rusia gjatë agresionit të saj kriminal kundër Ukrainës. Performanca në Këshillin e Sigurimit, edhe pse padyshim pjesa më e rëndësishme, nuk është një histori e veçuar. Shqipëria është duke kontribuar me ide e qëndrime konkrete e parimore në çdo organizatë ku bën pjesë.

Procesi i integrimit ka avancuar shumë duke arritur madje në një përmbysje të skemës, ku sot nuk bëhet më fjalë nëse Shqipëria – e padyshim edhe Maqedonia e Veriut – e meriton hapjen e negociatave, por nëse BE do të arrijë të mbajë fjalën e dhënë Shqipërisë duke hapur negociatat. Krahas reformave të thella të integrimit në çdo fushë, në politikën e jashtme, linjëzimi 100% me BE, puna aktive për të çuar përpara interest e përbashkëta dhe agjendat e përbashkëta me BE, që nga agjenda Gratë Paqja e Siguria e deri tek çështjet e radikalizmit të dhunshëm dhe e drejta ndërkombëtare, sot kanë bërë që edhe ato vende që dikur ishin më skeptiket për Shqipërinë të zgjerojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me ne”, tha Xhaçka.