Rusia po mban zi për shumë të vdekur në luftën e saj në Ukrainë, e cila filloi gjashtë javë më parë.
“Ne kemi humbje të konsiderueshme të trupave. Dhe kjo është një tragjedi e madhe për ne”, tha sot zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov për “Sky News”.
Peskov nuk dha detaje për numrin e vdekjeve. Më herët, Rusia raportoi 1351 ushtarë të vrarë. Ukraina supozon se janë vrarë 10 herë më shumë ushtarë rusë. Përveç kësaj, zëdhënësi i Kremlinit Peskov pretendon se trupat ruse ishin tërhequr nga rajonet e Kievit dhe Chernihiv të Ukrainës, si një gjest i vullnetit të mire pas negociatave të paqes.
Duke iu referuar Mariupolit, Peskov tha se qyteti port i sulmuar në juglindje të Ukrainës ishte pjesë e “republikave popullore” të njohura nga Moska. “Mariupol do të çlirohet nga batalionet nacionaliste dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë shpejt gjatë operacionit”, tha Peskov. Zëdhënësi i Kremlinit i quajti “të rreme” krimet e supozuara të luftës të kryera nga rusët në Mariupol, siç ishin sulmet në klinikën e një materniteti, por edhe në periferi të Kievit, Bucha.
Pavarësisht raporteve të dëshmitarëve dhe imazheve satelitore, Rusia këmbëngul se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e qindra banorëve në Bucha. “Edhe ne jemi të interesuar për një hetim të pavarur dhe objektiv të të gjitha krimeve. Por përpara kësaj, duhet të sqarohet formati i këtij hetimi ndërkombëtar”, tha Peskov.