Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme (MPJ) ka thërritur sot ambasadorin rus në vend, Sergej Bazdnikin, të cilit i është dorëzuar një notë diplomatike, me anë të së cilës gjashtë diplomatë në Ambasadën e Rusisë në Shkup janë shpallur si të padëshiruar në vend ose non grata.
Sipas MPJ-së, në bazë të informacioneve të marra nga organet kompetente, personat në fjalë kanë kryer veprime që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe në pesë ditët e ardhshme do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 28 mars, MV shpalli persona non grata pesë diplomatë rusë, të cilët kanë kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Vitin e kaluar, nga ana tjetër, MPJ-ja shpalli persona non grata dy diplomatë rusë, njërin në maj, ndërsa të dytin në gusht. Lidhur me këto dy raste Rusia reagoi me masa reciproke, duke dëbuar diplomatët e vendit nga Moska.