Në ‘Javën Hollandeze’, Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Holandës organizuan “Orange Bike Week”, një aktivitet për promovimin e biçikletave në qytet, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve që të ulin përdorimin e makinës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ndryshimi vjen ngadalë, por shtimi në masë i korsive të biçikletave në Tiranë, ku sot numërohen 52 kilometra dhe organizimi i ditëve pa makina çdo të dielë, janë një lajm i shkëlqyer për të gjithë. I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Holandës në Tiranës, Reinout Vos.
“Tirana po rritet me ritme të shpejta dhe ne duhet të marrim një vendim: Ose do e bëjmë qytetin parkingun më të madh në botë, me 200 mijë makina, ose do gjejmë mënyra alternative për të lëvizur. Në 4 korsitë e biçikletave më kryesore të Tiranës, në një ditë kanë lëvizur 18 mijë çiklistë. Pyetja është kjo: Është më mirë që këta 18 mijë vetë të ishin me biçikletë në rrugë, apo me makinë? Nëse do ishin me makinë, sot do të kishte më shumë trafik”, tha Veliaj.
Për sa i përket atyre që thonë se korsitë e biçikletave kanë ngushtuar rrugën e makinave, kryebashkiaku iu përgjigj: “Është legjendë urbane të thuash se korsitë e biçikletave kanë ngushtuar rrugën e makinave. Jo vetëm që rruga nuk është ngushtuar, por përkundrazi, çiklisti është aleati më i madh edhe për shoferët sepse po të kishte zgjedhur të lëvizte me makinë, edhe ai do të shtonte trafikun e qytetit”.
Në fund, kreu i Bashkisë i ftoi të gjithë që t’i sugjerojnë miqve të tyre përdorimin e biçikletës, ndërsa vuri në dukje se para 7 vitesh nuk kishte asnjë korsi biçikletash në Tiranë, ndërsa sot ka 52 km dhe që do të shtohen akoma më shumë.
“Secili prej jush, – iu drejtua ai të rinjve përdorues të biçikletës – duhet të japë një shembull. Media më e mirë nuk është as televizori, as radio, as Facebook, as Instagrami, as TikTok; media më e mirë është një çun ose një gocë që i thotë një çuni ose një goce tjetër, se duhet të pedalosh. Për të gjithë ata që thonë ‘nuk bëhet’, ju them se para 7 vitesh nuk kishim asnjë metër korsi, sot kemi 52km korsi biçikletash, por mund të shkojmë edhe më shumë”, përfundoi Veliaj.