Çmimet botërore të ushqimeve u rritën ndjeshëm në mars, duke arritur nivelet e tyre më të larta ndonjëherë, ndërsa pasojat e luftës në Ukrainë përfshinin tregjet kryesore të drithërave dhe vajrave vegjetale. Kështu është raportuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit ishte mesatarisht 159.3 pikë në mars. Një rritje prej 12.6 për qind nga shkurti, muaji në të cilin tashmë ishte arritur niveli më i lartë që nga krijimi i indeksit në vitin 1990.Indeksi ndjek ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të produkteve ushqimore të tregtuara gjerësisht. Niveli i fundit i indeksit ishte 33,6 për qind më i lartë se në mars 2021. Indeksi i çmimeve të drithërave për muajin mars tejkaloi atë të shkurtit me 17,1 për qind, i nxitur nga rritja e çmimeve të grurit dhe të drithërave të tjerë, të shkaktuar kryesisht nga lufta në Ukrainë.