Kryeministri polak i ka krahasuar bisedimet e Presidentit Emmanuel Macron me Presidentin Vladimir Putin me negociatat me Hitlerin, duke kritikuar përpjekjet e liderit francez për të gjetur një zgjidhje diplomatike për luftën në Ukrainë. “President Macron, sa herë keni negociuar me Putinin? Çfarë keni arritur? Keni ndalur ndonjë nga veprimet që kanë ndodhur?” tha Mateusz Morawiecki. “Me kriminelët nuk negociohet, kriminelët duhet të luftohen. Askush nuk negocioi me Hitlerin. Do të negocionit me Hitlerin, me Stalinin, me Pol Potin më pas?”

Polonia është frustruar nga rezistenca evropiane ndaj sanksioneve më të forta kundër Rusisë, duke përfshirë eksportet e energjisë në të cilat mbështetet pjesa më e madhe e kontinentit, dhe dëshiron një program më ambicioz për armatosjen e Ukrainës. Macron ka biseduar me Putinin të paktën 17 herë që nga Dhjetori, shkruan “The Times”.

BE-ja i ka paguar Rusisë gati 19 miliardë euro për energji që nga fillimi i luftës më 24 Shkurt, sipas Qendrës për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, një institut evropian. “Mjaft me këtë lojë të vonesës së disa liderëve evropianë, duke manovruar. Duhen sanksione të forta, ato që do të thyejnë makinën luftarake të Putinit, përndryshe do të vdesin më shumë njerëz të pafajshëm” , tha Morawiecki.

Macron bëri thirrje për një raund të ri sanksionesh dhe dukej se ishte dakord që ato duhet të synonin industrinë ruse të naftës dhe gazit, pasi tha se kishte “indikacione të qarta të krimeve të luftës” në Ukrainë.

Zelensky sulmoi liderët rusë, ndërsa liderët botërorë kërkuan hetime për krimet e luftës dhe sanksione të reja pas masakrës së civilëve në Bucha. “Ka një përgjegjësi të përbashkët. Për këto vrasje, për këtë torturë, për shpërthimet… Kështu do të shihet tani shteti rus”, u shpreh ai. Rusia po mobilizon rezervistë nga rajone të largëta, ka pohuar Kievi, duke sugjeruar se Putini po dyfishon përpjekjet e tij për të arritur përfitime ushtarake.