Për të treguar ndryshimet që sjellë në administratë dixhitalizimi dhe kalimi i të gjitha shërbimeve online, Rama solli si shembull transformimet e kryera në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit. Kryeministri përmendi njohjen e patentave shqiptare në Gjermani, ku u shpreh se inspektorët gjermanë dhanë dakordësinë dhe u ‘shokuan’ kur panë transformimin.
“Një ditë e shënuar për historiën e administratës sonë. E nis me një shembull, ai i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit, që përbën një burim domethënës informacioni dhe eksperience për këtë proces që e çon administratën nga një makineri e shtrirë në territor me zyra e njerëz, radhë…, në një instrument në shërbim të çdo qytetari në xhep, në smartphone apo kompjuter. Është një transformim i jashtëzakonshëm për të cilin ka një shembull ndër shumë të tjerë, por më kuptimpoti. Ishte e paimagjinueshme që Gjermania, shteti më strikt në Europë, të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë, të cilat buronin nga një proces i gjurmueshëm. Ka patur një numër të konsiderueshëm lejesh drejtimi të dhëna në mënyrë të parregullt dhe ishte e paimagjinueshme që Gjermania do njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë. Për ta ishte e pakuptimtë si mund të pretendonte Shqiëpria të ishte e barabartë në këtë aspekt, pro pastaj duke ditur se kemi bërë një progres të kosndierueshëm se çfarë kishte sjellë dixhitalizimi në atë drejtori, ne kërkuam të vinte një inspektim. Inspektimi i Ministrisë së Transporteve të Gjermanisë doli pozitiv dhe inspektorët gjermanë ishin të shokuar se nuk e prisnin atë lloj realiteti të transformuar rrënjësisht. Vetëm përmes dixhitalizimit i jepet mundësia administratës të bëjë performancën më të lartë”, tha Rama.