Nga Arbër Hitaj/
Zgjedhja e Presidentit po kthehet ne eventin më të rëndësishëm politik të stinës, pas betejës së Berishës me Ambasadoren Amerikane kuptohet.
Diskutimet janë fokusuar në parimet dhe identikitin që duhet të këtë kreu i ri i shtetit, por harrohet elementi që është më thelbësori, eksperienca dhe qasja që mund të ketë pasur në detyrat e mëhershme. Kushtetua njëjtë ka qenë, problemet kanë dalë nga interpretimi i shtrembër, sidomos në Presidencën e Ilir Metës! Po të shikohet mënyra se si janë zgjedhur presidentët e kaluar, gjithmonë në muajt e parë të ‘mjaltit’ me qeverisjet, kanë qenë më të miri! Të gjithë pa përjashtim janë konsideruar si presidenti mbi palët, që do garantonin ruajtjen e Kushtetutës.
Por pas vetëm 1 viti, maskat ju ranë dhe papritur ata që ishin kandidatët më të përkryer, u kthyen në horra bulevardi, të shitur, të partisë etj! Lumenjtë me akuza nuk kishin të sosur. E vërteta është se Ilir Meta në presidencën e tij, i mishëroj të gjitha kritikat që çuan deri në shkarkimin për herë të parë nga mazhoraca, por ish Presidentët e tjerë besoj pak ose aspak! Si me angazhimin por edhe me heshtjen e tyre! E megjithatë, asnjë nuk doli i pa lagur nga ‘problemet’ në Presidencë. Por a mundet që kjo të shmanget në të ardhmen? Padyshim që jo.
Asnjë president i ardhshëm, nuk mund të mos mbajë qëndrime të forta që do ja diktojnë rrethanat e të ardhmes, që mund të çojë në ‘mërzitjen’ e forcës që do e zgjedhë, duke e shpallur më tej armik ose tradhtar.
Thënë sa më lart, por parë edhe mungesën e konsensusit nga opozita e ndarë në disa thela, dhe me një problem të madh me SHBA, socialistët janë të ‘detyruar’ ta zgjedhin të vetëm presidentin e ri. Pavarësisht diskrecionit në votimin e 3 kandidatëve për Presidentë nga deputetët e PS, disa informacione kanë rrjedhur.
Mimi Kodheli ish ministre e mbrojtjes ka dalë më e votuara, mes emrave si Vali Bizhga një emër enigmatik për publikun por shumë e njohur nga kreu socialistëve Edi Rama, ish deputetja dhe kryetarja e parë e grupit parlamentar të socialistëve Valentina Leskaj apo edhe Majlinda Bregu ish ministre e integrimit në qeverinë Berisha, që ka marrë pak vota, 2 më konkretisht. Pra mes ‘presioni’ të brendshëm dhe atij të jashtëm për një emër jo politik, duket sikur gjasat janë për një emër jashtë saj.
Por sa e sigurt është që edhe pse i jashtëm presidenti i ri të jetë mbi palët? Siguria është e njëjtë me parashikimet e sakta për tërmetet, pra zero! Kushdo që të jetë emri i ri, duke parë edhe situatën e diktuar nga koniunktura të jashtme apo brendshme është i/e destinuar të jetë i ashpër me qeverinë dhe kritik me opozitën në veçanti nëse ajo do të zgjedhe përsëri Berishën në krye.
Edi Rama do e kishte më të lehtë ti gjente argumentet ndaj një Presidenti kritik se sa ndaj një presidenti kritik ish bashkëpunëtore. Kjo e bën më të lehtë zgjedhjen, por jo bashkëjetesën, që me shumë gjasa pas muajve të parë do të jetë problematike.