Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ku në rend të ditës çështja e parë është ajo e procesit të përzgjedhjes së emrit të Presidentit të ri të Republikës se procesi do të përfshijë shumë faktorë.
“Ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin e ambicien e PS është se nuk mjafton thjesht të zgjedhin një person që do të ishte më përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve, por është që të zgjedhim një figurë për të luajtur në 5 vitet e ardhshme rolin e kreut të shtetit që të rrezatojë normalitet, të ketë integritet të garantojë respekt të ndërsjellë mes institucionit të Presidentit dhe aleatëve tanë strategjikë, partnerëve e miqve të Shqipërisë,” u shpreh Rama.
Ai tha se procesi do jetë konfidencial në hapat e tij të parë. “Të bëjmë një sforco të përbashkët duke i hapur rrugë ideve të gjithsecilit këtu në një proces konfidencial. Ne nuk mund të bëjmë një diskutim të hapur e të hedhim emra që të bëhen objekt i thashethemeve,” tha Rama.
“Ne kemi edhe një komision të përbërë nga kryetari i Grupit Parlamentar nga Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS për të komunikuar edhe me pjesët e tjera të Kuvendit të Shqipërisë, por për të hapur edhe një kanal edhe me publikun, duke i dhënë të gjithëve mundësinë të bëjnë propozimet e tyre,” u shpreh ai.
Lidhur me idenë e zgjedhjes së presidentit nga populli Rama tha: “Ka pasur një debat lidhur me pse-në e moszgjedhjes së presidentit nga populli dhe ripërsëritjen e të njëjtit proces, që sidoqoftë mbetet i kufizuar në kornizën e veprimtarisë së partive politike në Kuvend. Është një temë që meriton të diskutohet. Në kushtet ku jemi Presidentit apo Presidenten do ta zgjedhë Kuvendi, por ne kemi detyrimin t’ua japim njerëzve mundësinë të shprehen për këtë temë duke përcaktuar disa piketa”.
Kjo tha Rama do të jetë një temë për Këshillin e ardhshëm Kombëtar.