Kryeministri Rama në fjalën e tij në konferencën e sotme me përfaqësues të kompanive të mëdha të energjisë në botë, tha se me projektet që ka në vazhdim Shqipëria synon të bëhet një vendi eksportues dhe i pavarur energjitikisht.
“Si lojtari më i vogël në këtë sallë, edhe pse më i gjati, ju falënderoj për pjesëmarrjen. Jam i lumtur që ky takim kaq i fuqishëm mbahet në Tiranë. Ju falënderoj që dëshmoni interesin tuaj që së bashku të realizojmë programin e ndryshimit për Shqipërinë, programin e ndryshimit për rajonin.
Disa ditë më parë vizitova Presidentin Alijev dhe me kënaqësi ndjeva interesin e lartë që ka për tu përfshirë në tubacionin joniano-adriatik, që mund të jetë një fuqi e madhe energjie për Evropën që sa më shumë të fitojë një pavarësi nga gazi rus. Me shumë kënaqësi shikoj punën për shndërrimin e TEC-it të Vlorës në një impiant përpunim energjie.
Shumë punë po kryhet për energjinë e erës. Por edhe ëndrra e gjatë e hidrocentralit të Skavicës, që do të na japë neve një shtytje të madhe të pavarësisë energjetike.
Të gjitha këto tregojnë një potencial konkret për ta shndërruar Shqipërinë Brenda kësaj dekade në eksportuese energjie. Para disa vitesh na është dashur të marrin në dorë një sistem të falimentuar. Borxhi i OSHEE shkonte në 5% të PBB tonë si shtet. Por të ardhmen e shohim me buzëqeshje”, tha Rama.