Shumë shpejt socialistët do të kenë emrat për presidentin/en e ri të vendit! Sot, Partia Socialiste do të mbledhë Grupin Parlamentar ku do të bëhet dorezimi i emrave të propozuara nga deputetët socialist për presidentin/en e re. Në fletën që u eshte dorezuar ato do duhet të shkruajnë jo më shumë se 3 emra.
Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur edhe grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual.
PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ku nesër do të zhvillojnë takimin e parë me opozitën parlamentare.Nga PD-ja do të takohet me Enkelejd Alibeajn, që njohin si kreun e PD-së, Mesila Dodën nga Demokracia për Integrim (8 deputetë) dhe Fatmir Mediun nga Aleanca për Ndryshim (8 deputetë). Që do të thotë, PS-ja i ka mbyllur çdo derë Sali Berishës për negociata për kreun e ri të shtetit, njësoj si edhe Komisionin e Rithemelimit. Argumenti i Ballës për përjashtimin nga negociatat Komisionin e Rithemelimit, që sot drejton me vendim gjykate PD-në, është se nuk është një grup parlamentar, siç Kushtetuta e përcakton qartë.
Deri në këtë fazë, Partia Socialiste nuk e ka krijuar identitikin e presidentit të ri. Dy gjëra janë të sigurta, së pari nuk do të jetë si Ilir Meta dhe së dyti që nuk do të jetë një emër do të vijë nga radhët e opozitës aktuale.
Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.