Nga Vlora ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, u kërkoi përfaqësuesve të bizneseve që të rrisin vlerësimet ndaj profesionistëve të turizmit.
“Ne flasim për profesione, por a kemi punuar mjaftueshëm për formimin, kualifikimin e punëdhënësve? A ju japim ne mjaftueshëm dinjitet profesioneve në fushën e turizmit, punonjësve të shërbimit, të pastrimit të dhomave të hoteleve, kamarierit, recepsionistit, atij zotërisë që të merr bagazhet kur futesh në hotel, pjatalarësit, e kështu me radhë? Nëse i trajtojmë me dinjitet, kamarieri nuk do të ikë, do të ndihet profesionalisht më lart. Kemi filluar vitet e fundit me shefat e kuzhinës t’u japim një profil më të spikatur, më interesant dhe më i mirëpaguar, duke qenë një lloj patente për emrin e restorantit dhe hotelit dhe kjo do të thotë që jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Kumbaro.
Ndërsa ministrja Ibrahimaj u shpreh se kërkesa për punësim në sektorin e turizmit sa vjen e rritet.
“Në sezon kemi 2500 të punësuar më shumë gjatë vitit. Me rritjen e numrit të turistëve, është rritur kërkesa për punësim dhe numri i bizneseve që operojnë në këtë fushë. Është detyra jonë që të përgatisim stafe të kualifikuara, pasi nuk është vetëm e nevojshme që të ndërtosh struktura akomoduese, restoracioni shërbimesh, por është shumë me rëndësi që niveli i shërbimit të jetë aty ku duhet. Ne duam që përmes një bashkëpunimi më të fortë me bizneset të kuptojmë se cilat janë kërkesat në kohë reale, të fillojmë të punojmë sot për sezonin e ardhshëm. Çdo vit rriten me 2500 kërkesat për punësim ndërkohë që oferta e shkollës së hoteleri turizmit në Vlorë është vetëm 240 studentë në vit. Kjo do të thotë që do të duhet të ridimensionojmë të gjithë ofertën tonë në ata sektorë ku është më e nevojshme”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Pjesëmarrës në takim ishin nxënës të shkollave profesionale të Vlorës, të cilët prezantuan eksperiencat e tyre në sektor dhe punimet në një panair të dedikuar.