Ministrja e Arsimit Evis Kushi menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë ka bërë të ditur sot se një prej vendimeve të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave në fushën e arsimit është edhe Programi Horizont Europa. Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi pas mbledhjes së qeverisë:
Tashmë prej disa muajsh në MAS kemi punuar intensivisht me BE-në për të negociuar marrëveshjen ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin Horizon Europe, i cili është programi kuadër për kërkimin shkencor dhe inovacionin. Tashmë e kemi miratuar në qeveri dhe i kemi gati të gjitha procedurat për t’ia paraqitur edhe kuvendit të Shqipërisë për të marrë miratimin final për këtë marrëveshje. Ky është një program kuadër që nxit përgjigjen ndaj sfidave globale nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit. Në fakt BE synon që për kërkimin shkencor dhe inovacionin të ketë një treg të përbashkët, unik duke nxitur shkëmbimin midis universiteteve, qendrave të kërkimit shkencor, duke nxitur shkëmbimin e pedagogëve të kërkimit, etj.
Nëse i referohemi programit të mëparshëm, që ka qenë Horizon Europe 2020, pjesëmarrja e Shqipërisë ka qenë me 305 aplikime, prej të cilave 52 kanë qenë fituese. Nëse bëjnë krahasimin e kontributit që ka dhënë Shqipëria për pjesëmarrje në këtë program dhe ajo çka ka përfituar, ne në fakt kemi përfituar më pak. Pra qeveria shqiptare ka paguar 8 milionë euro, ndërkohë universitetet kanë përfituar 5.5 milionë euro. Por po ta krahasojmë me programin paraardhës që ka qenë i vitit 2007 deri në vitin 2013, fondet që universitetet tona kanë përthithur janë dyfishuar. Kjo na bën që të jemi optimistë që edhe për programin e ri Horizon Europe përfitimet e universiteteve tona të jenë shumë herë më të mëdha në krahasim me vitet e kaluara.
Edhe në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit universitetet tona tashmë kanë një bashkëpunim të ngushtë edhe me universitetet më prestigjioze evropiane, çka na bën më optimistë që ata do të marrin pjesë edhe me partnerë prestigjiozë në këtë program. Në këtë program Shqipëria do të paguajë një kontribut prej 9 milionë euro, të ndarë për 7 vite, kështu që jemi optimistë, kemi një bashkëpunim të ngushtë me universitetet dhe ata kanë ambicie tashmë prej kohësh, jo vetëm për të rritur cilësinë në mësimdhënie por edhe në kërkimin shkencor dhe të gjithë komponentët e tjerë të jetës universitare.