Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2021 shënoi 19.9 % më pak aksidente rrugore, ndërsa theksoi rëndësinë e sensibilizimit të qytetarëve për sigurinë rrugore. Rama ndau sot fotoalbumet e shkëputura nga Këndi i Sigurisë Rrugore në shkollat 9-vjeçare “Drita Pelinku” dhe “Dora D’Istria”.

“Shkollë më shkollë për të mësuar rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor, që fëmijët sot të jenë të sigurt si këmbësorë e pedalues biçiklete, po edhe si shoferë nesër”, tha Rama. Ai theksoi se në vitin 2021 u regjistruan 18.8 % më pak qytetarë të përfshirë në aksidente dhe 7.5 % më pak fatalitete nga aksidentet.

“Po ashtu në 2021-shin kishim 14.8 % më pak aksidente shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit, 37 % ulje e indeksit të vdekshmërisë për 10,000 mjete. Domethënëse është ulja me 43 % e probabilitetit që një drejtues mjeti i sapopatentuar të përfshihet në aksident rrugor”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se, Automotorizimi Shqiptar (DPSHTRR) po punon me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Ministrinë e Arsimit, Kryqin e Kuq, Klubin Shqiptar të Automobilit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për Edukimin mbi Trafikun dhe Sigurinë Rrugore, për moshat nën 18 vjeç, me objektiv Planin Global të OKB, OBSH e FIA për uljen e fataliteteve nga aksidentet rrugore me 50 % deri në vitin 2030.