Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor po transformohen rrënjësisht në të gjitha qytetet e vendit, duke zëvendësuar zyrat e vjetra, të amortizuara, me arkiva të dëmtuara e të pavlefshme, me ndërtesa të reja të mirëprojektuara sipas kritereve dhe standardeve që kërkojnë shërbime të tilla.
Berati është qyteti i radhës, ku ndërtesa e kësaj drejtorie është ngritur e re nga themelet në hyrje të qytetit, duke garantuar, shërbime dinjitoze për më shumë se 55 mijë drejtues automjetesh të 5 bashkive të këtij qarku. Por jo vetëm. Edhe personeli i kësaj strukture tashmë ofron shërbimet në kushte optimale.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Berat, nga ku e nisi vizitën e tij, në zyrat e reja të DRSHTRR.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjegoi se në Drejtorinë rajonale të Beratit, ofrohen 120 mijë shërbime. “Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor të Beratit është një nga drejtoritë më të mëdha të rajonit të jugut, pas Fierit dhe pas Vlorës. Në këtë drejtori ofrohen rreth 120 mijë shërbime gjatë gjithë vitit. Në vizitën time të parë këtu me Blendin, ka qenë fillimi i 2019, e kemi gjetur këtë Drejtori në një ambient me qera, diku pas një fushe skrapi, që ishte shumë e vështirë ta gjenim. Kështu që morëm një vendim që t’i jepnim një mundësi Beratit për të pasur një ndërtesë të re ku mbi të gjitha do të ofrohej shërbim i kulturuar ashtu siç e meritojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve të kësaj zone pasi këtu ofrohen shërbime për 5 bashki.” – u shpreh Ministrja Balluku.
Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Transportit Rrugor tha se janë rreth 70 mijë shërbime, të cilat ofrohen online “Janë rreth 70 mijë shërbime online, por janë rreth 120 mijë të tjera, të cilët janë të detyrueshëm fizike. Pra, rreth 200 mijë shërbime në ditë e ndaj ishte një drejtori që e meritonte si shërbim. U pa nevoja e blerjes së një trualli të ri për drejtorinë sepse mjediset ishin nëpër qoshe, nëpër kanale. Shpesh akuzohemi për ndërtesat e reja dhe fasadat. Është punuar me kosto normale dhe racionale ndërtimi. Çdo gjë është nga vetëfinancimi, pa i marrë buxhetit të shtetit asgjë. Nga viti 2013, janë dyfishuar numri i mjeteve në Republikën e Shqipërisë, ka pasur një amnisti në 2015-2017 dhe tani jemi në rritje. Po rikonstruktohet komplet e gjithë qendra e kontrollit teknik, e cila është në Dimal, pjesa 2 e rajonales, ndërkohë këtu është kontrolli fizik dhe shërbimet e domosdoshme fizike.” – shpjegoi Gonxhe.
Duke vlerësuar punën e bërë, kryeministri Rama theksoi se faktet flasin vetë mbi transformimin rrënjësor që është bërë në këtë aspekt “Me mjete me standarde të reja, duke nxjerrë jashtë shumë nga mjetet e vjetra, dyfishimi flet vet edhe për atë që ne përsërisim që ka të bëjë me ekonominë. Se “ku është rritja ekonomike”. Faktet e tregojnë se ku është.
Godina e re ka një sipërfaqe totale ndërtimi prej 1150 m2 të zhvilluar në 2 objekte. Në objektin e parë janë vendosur sallat e shërbimit ndaj qytetarëve dhe arkivat për regjistrimin e mjeteve dhe drejtuesve, ndërsa objekti i dytë është kapanoni për kryerjen e identifikimit teknik e fizik të mjeteve.