Në Kongresin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama është shprehur se duhet shkuar gjithmonë e më shumë drejt elementit të “Partisë Digjitale“.
“Elementi tjetër është Partia Digjitale, nuk më rezulton që është kuptuar. Gjithmonë e më shumë, gjithçka do të shkojë tek ajo rrotulla dhe gjithçka e më pak do të mbetet për t’u bërë në territor. Së pari, çdo aktivist i PS, duhet të jetë dhe aktivist i një partie digjitale. Përtej kësaj, ne duhet ta përdorim këtë mundësi që na jep teknologjia për të bërë atë që bëjmë me Këshillimin Kombëtar. Anëtarët e Kongresit janë udhëheqja e partisë. Kongresi duhet të ketë mundësinë të mblidhet, nuk është nevoja të mblidhemi përherë këtu, duhet t’i kemi aty dhe forumet dhe këshillat bashkiakë që ta dëgjojmë njëri-tjetrin, por dhe ne që jemi këtu të kemi mundësinë të dëgjojmë se çfarë ndodh”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë po ashtu se PS duhet të bëhet një parti e lidhur me vlera dhe parime. “PS duhet të bëhet shembull i vëllazërisë. Duhet të bëhet kjo parti një vëllazëri që të jetë e lidhur me disa parime dhe me vlera dhe jo e lidhur me vendin e punës në pushtet. Pjesëmarrja nuk duhet të jetë diçka me llafe, por diçka reale. Përkatësia në parti, duhet të jetë përkatësia në vëllazëri. Jo ne të themi një gjë dhe njerëzit pastaj të shohin që ndodh një gjë tjetër”, shtoi Rama.