Po vijon puna për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt i rëndësishëm pritet të sjellë zhvillim ekonomik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier, ku është kryer tashmë pjesa më delikate e punës për ndërtimin e aeroportit.

“MIRËMËNGJES 😊
dhe me karvanin që vazhdon përpara, ju uroj një ditë të mbarë🙏🏻“, shkruan Rama.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë tonë të aviacionit civil një nga veprat më të mëdha që është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit.

Ndërtimi i këtij aeroporti po kryhet nga bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, YDA Group me 48 % dhe A Group sh.p.k me 2 %.

Bashkimi i operatorëve ekonomikë do të investojnë një vlerë prej 104 milionë euro për ndërtimin e këtij aeroporti.

Në periudhën 2-vjeçare të fazës së parë do të ndërtohet godina e aeroportit dhe pista, që kapin vlerën mbi 103.5 milionë dollarë.

Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit, që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro.

Kriteret teknike të vendosura përmbushin ato të kategorisë 4E, që është një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare duke nisur nga pista që duhet të jetë 3,2 km dhe deri tek sipërfaqet e terminalit dhe të gjithë lehtësitë e tjera që ky aeroport duhet të ofrojë.