Dita e Tokës festohet çdo vit të 22 prillit ndërsa 193 kombe e kanë njohur dhe i janë bashkuar nismës globale për të nderuar Tokën dhe konceptin e Paqes në planet.

Në kuadër të kësaj dite, kryeministri Edi Rama shprehet se tokës i kemi çdo ditë një borxh të madh për t’i kthyer mbrapsht.

Festa e parë e Ditës së Tokës u organizua në Amerikë në vitin 1970. U themelua nga ish senatori i Shteteve të Bashkuara Gaylord Nelson pasi dënoi ashpër derdhjen masive të naftës në Santa Barbara në vitin 1969. Për të dënuar veprën, 20 milion njerëz marshuan kudo në Shtetet e Bashkuara.

Me këtë rast, më tepër se 10 milionë nxënës të shkollave amerikane iu dhanë orë të veçanta mësimi për mjedisin, ku theksohej rëndësia e mbrojtjes së mjedisit; edhe Kongresi Amerikan i pezulloi punimet, në mënyrë që anëtarët e tij të të mund të merrnin pjesë në veprimtaritë e organizuara në shtetet përkatëse me rastin e Ditës së Tokës.

Po atë ditë, rreth 10 mijë vetë u mblodhën në lëndinën përpara Monumentit të Uashingtonit në kryeqytetin amerikan, për t’i bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa më të fuqishëm në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Që nga viti 1970, kur filloi për herë të parë të festohet Dita e Tokës, ajo vazhdon të festohet çdo vit në vende të ndryshme të botës me aktivitete të ndryshme.

Në vitin 1990, eventi u bë global me rreth 200 milion pjesëmarrës nga 141 shtete që e festuan sipas Rrjetit të Ditës së Tokës.

Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e mundësive për të përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ajo që filloi në vitin 1970 thjesht si një lëvizje për mbrojtjen e ujit, ajrit dhe burimeve të tjera natyrore, sot është zgjeruar dhe ka marrë përmasat e një rryme të përgjithshme, që përkrahet nga të gjithë.