Alfred Marku është një nga sipërmarrësit në Krajnë të Lezhës që punëson pjesën më të madhe të banorëve të zonës dhe gjithashtu krijon një burim të ardhurash për blegtorët të cilët shesin qumështin e tyre pranë strukturës së tij.
“Ne jemi prezentë nga Kukësi deri në Sarandë pra në gjithë Shqipërinë. Nga momenti që ndërtuam pjesën e re kemi arritur në një sasi prej 4 ton qumësht në ditë pak a shumë. Në 2008 e kemi filluar me 30 litra qumësht”, – u shpreh Alfredi teksa shoqëronte Kryeministrin sëbashku me ministren e Bujqësisë Frida Krifca, në ambientet e reja të baxhos për tu njohur edhe me procesin e punës.
Baxhoja e ka shtuar kapacitetin e përpunimit të qumështit nga 2 në 4 ton pas investimit. “Në zinxhirin e vet të prodhimit, Alfredi ka rreth 300 fermerë. Më thotë që i duhet më shumë prodhim, shkon ua merr qumështin në vend dhe e ka dyfishuar punën. Çmimi i shitjet sot i qumështit të lopës është 65 lekë, është më i larti ndonjëherë, pra fermerët po marrin çmim më të lartë. I deles ka shkuar rreth 120 lekë”, – tha ministrja Krifca.
Alfredi ka përfituar nga mbështetja e Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, duke e ndihmuar këtë sipërmarrje të shtojë një kapanon prej 250m katrorë, ku përfshihen katër dhoma frigoriferike, dhomë kullimi dhe dhomë kosi si dhe një ambient ku kryhet paketimi i produktit duke mbyllur kështu ciklin e prodhimit brenda baxhos. “Është çështje tregu, çështje cilësie dhe çështje konkurrence. E kam thënë me kohë këtë gjë kur thonin dhe thonit të gjithë bashkë që “do falimentojnë, nuk kanë”, dilnin disa që i nxiste një parti që e njohim ne të dy. Nuk bëhet kjo punë me lëmoshë, por me bashkim, organizim dhe investime cilësore. Përpara shpërndaheshin dylekësha sipas qejfit dhe prodhuesit dilnin në rrugë. Tani nuk ka më tezga sepse kush bashkohet, fiton. Ky sistem nuk mund të financojë mbijetesën e atij që do të rrijë vetëm. Kush rri vetëm është në të drejtën e vet por sistemi nuk e pranon këtë gjë, është sistem organizimi dhe bashkimi. Sot punon për vete, por ama bashkohesh. Po nuk u bashkove për shitje, nuk fiton. Veç në prodhim, me normat që të thotë ai që ta mbledh dhe bashkë në shitje. Po nuk shite bashkë nuk fiton”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Hapi tjetër për Alfredin është ngritja e një agroturizmi në këtë zonë ku turistë vendas e të huaj mund të shijojnë prodhimet 100% bio të baxhos, ndërsa një kërkesë e tij është edhe shtimi i Shqipërisë guidën “Michelin”, kërkesë të cilën Kryeministri e mbështet por shprehet se është ende herët. “Ne aty e kemi synimin. Nuk është çështje aplikimi sepse mund t’i sjellim dhe i kemi gati, por e ke parasysh si funksionon? Do vijnë tek ty, befasisht, do ulen e do shohin pecetën, pirunin, kamerierin, si e solli. Pastaj do vijnë tek kuzhina, pastaj do thonë ku i merr. Është akoma pak herët por është një fazë e ndërmjetme mes yllit “Michelin” dhe asgjësë, që merr një raport inkurajues dhe mbështetës nga Michelin. Ne do i sjellim, i kemi gati për ti sjellë por nuk duam që të vijnë e të mos jemi gati”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Rritja dhe fuqizimi i pikave të grumbullimit jo vetëm në Lezhë por në të gjithë vendin, pritet të ketë ndikim pozitiv për fermerët që mbarështojnë blegtori të cilët pritet të shtojnë tufat e tyre.