Shkolla “Sami Frashëri”, një prej gjimnazeve ikonike të Tiranës, po ndërtohet dyfish më e madhe, shumë herë më e fortë e më e bukur. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shkolla e re, e cila oo ndërtohet nga fillimi pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “Mirëmëngjes dhe me godinën e re të shkollës “Sami Frashëri”, të cilën e prishi tërmeti e jo ne “për të bërë pallat” dhe e cila po ndërtohet dyfish më e madhe, shumë herë më e fortë e më e bukur, aty ku ishte shkolla e vjetër e jo “në Paskuqan”, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Shkolla është gati të presë ceremoninë e diplomimit për maturantët e këtij viti në godinën e re. Shkolla e re “Sami Frashëri” është projektuar për të përmbushur kërkesën për një kapacitet prej 1500 nxënësish, përmes 50 klasave, secila me 30 nxënës. Godina e re është organizuar në 4 kate duke krijuar disa ambiente ku përveç klasave mësimore do të vendosen edhe laboratorë, palestra, biblioteka, terrene sportive, etj., të gjitha transparente dhe të ndriçuara nga drita natyrale që mundëson kontaktin e studentëve me gjelbërimin dhe natyrën.
Përveç projektit arkitektonik, shumë rëndësi i është dhënë dhe projektit të hapësirës së jashtme, konceptuar si dhoma të hapura në brendësi të shkollës dhe të lidhura me një seri itineraresh që ftojnë për aktivitetet rekreative.