Gjatë qëndrimit në Gjermani, Kryeministri Edi Rama vizitoi mjediset e Factory Berlin, që përfaqëson komunitetin më të gjerë të inovatorëve dhe krijuesve, rrjetin më të madh europian të Startup-eve, inovacionit, edukimit digjital, artit, muzikës tekno, me një pjesëmarrje prej mijëra anëtarësh që ndërveprojnë me biznese dhe talente nga e gjithë bota, nga Google e Uber tek qendrat kërkimore të Siemens, Audi e Deutsche Bank dhe SoundCloud, e të tjera me radhë.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga drejtuesit e Factory-t u njoh më arkitekturën e veçantë, ku teknologjia bashkëkohore mundëson ndërthurjen e mjediseve ndërvepruese dhe njëkohësisht frymëzuese për ide të reja dhe inovacion.
“Zakonisht kemi rreth 900-1000 persona në ndërtesë. Është shumë e zënë, por tani është koha e e Pashkëve dhe shumë njerëz jashtë vendit të punës. Siç e shihni, dizajni është diçka tjetër e rëndësishme, dhe ndonjëherë vjen edhe përpara funksionales. Ne jemi ata, që ndërtojmë urën midis bashkë organizimit tonë dhe sistemit të start-up këtu në Berlin. Ne krijojmë ndërtesa dhe aty mund të jetosh ose punosh, pra njësoj si këtu, hapësirë ku punohet, por edhe hapësirë ku jetohet së bashku. Pra, të gjithë kanë akses në më pak hapësirë për të jetuar apo punuar, por dhe hapësira të përbashkëta ku mund të takohesh. Është më efikase, është mënyrë më e qëndrueshme e të jetuarit, por edhe më ndërlidhëse. Këtu ke akses, por ndërkohë të gjithë kanë mundësi të kenë akses në hapësirat e zyrave dhe tek apartamentet.” – shpjegoi një prej menaxhuesve të Factory-t.
Kryeministri Rama tha se ftesa për të krijuar një Factory Berlin, Albania është e mirëpritur si një ofertë e bukur për të tërhequr të rinjtë në botën e re të teknologjisë.
“Kjo është Factory Berlin dhe ne jemi këtu të ftuar nga miqtë tanë, që janë themeluesit dhe drejtuesit të këtij realiteti të jashtëzakonshëm, idesh të reja, eksperimentesh, shkollimi për të thithur të rinjtë në botën e re të teknologjisë dhe për të krijuar kushtet që ata të vazhdojnë jetën bazuar në produktet e tyre inovative. Jemi këtu sepse po punojmë që të kemi një Factory Berlin, Albania dhe këta janë miqtë që do ta bëjnë këtë të mundur.” – tha Kryeministri.
Çelja e një filiali të Factory Berlin në Shqipëri, shihet me optimizëm edhe nga drejtuesit, të cilët shprehen se nga ky bashkëpunim mund të përfitohen energji të reja për të sjellë risi në inovacion dhe më gjerë. “Jemi shumë të kënaqur t’i urojmë mirëseardhjen kryeministrit, artistit dhe ish-basketbollistit këtu në Factory Berlin. Ajo që përmenda është që këtu në Factory nuk besojmë vetëm tek start-up inovacioni, por ka lidhje me sportin, artin dhe kjo është një arsye më shumë se pse erdhëm në Shqipëri për të mësuar për vendin tuaj të jashtëzakonshëm dhe mezi presim të bëjmë diçka së bashku me ju, në Shqipëri. Besojmë fort se duke bërë bashkë këndvështrime të ndryshme mund të bëjmë diçka të re dhe ndjejmë që ekziston kjo energji për të bërë këto gjëra të ndryshme bashkë dhe për të sjellë diçka të re.” – u shpreh një nga drejtuesit e Factory Berlin.
“Factory Berlin është njësoj si të kesh më të mirën e më së mirës së Gjermanisë në Shqipëri.” – u shpreh Kryeministri Rama.