Policia e shtetit ka bërë bilancin 1-javor për operacionet e zhvilluara në të gjithë vendin për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, atyre që janë të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 645 persona, nga këta: 186 janë arrestuar, 420 janë proceduar penalisht dhe 39 janë shpallur në kërkim.

•Janë kapur në total 49 persona në kërkim, nga këta: 39 në kërkim kombëtar dhe 10 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë zhvilluar 28 operacione policore të koduara: “50 Dollars”, “Monday”, “Filiali 2” (2 raste), “Taxi”, “Repeater”, “Similar”, “Fati i lojërave” (3 raste), “Hide”, “Weekend”, “Ancona”, “Elektroaut”, “Përsëritësi”, “Reklamat”, “Houses”, “Often”, “Karbunara”, “Knock doën”, “Restart 7”, “First”, “Krasta”, “Arapaj”, “Baks”, “Vukpalaj”, “Pistulli” dhe “Acidet”.

•Janë zhvilluar 3 operacione të mëdha, për goditjen e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike: megaoperacioni “Knock doën”, i zhvilluar nga DVP Korçë, me 101 persona të proceduar, nga të cilët 31 me masë sigurie “Arrest në burg” dhe 70 të proceduar në gjendje të lirë; operacioni “Taxi”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, gjatë të cilit u sekuestrua rreth 1 kilogramë kokainë dhe operacioni “Restart 7”, po nga DVP Korçë, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 40 kilogramë kanabis.

• Për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar 4 operacione dhe 1 megaoperacion për kontrollin e territorit, gjatë të cilëve është evidentuar 1 laborator që shërbente për kultivimin e kanabisit me anë të llambave, 1334 fidanë narkotikë dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe në sera.