Në prag të festës së pashkëve Milan është rikthyer të fitojë në Seria A dhe të mbajë të paktën përkohësisht vendin e parë. ‘Djalli’ pas dy barazimeve radhazi fitoi pastër 0-2 kundër Genoa-s, duke marrë një 3 pikësh që më së tepërmi ndihmon në aspektin psikologjik.

Në San Siron e mbushur me 70 mijë tifozë fillimisht realizoi Leao, ndërsa pak minuta para fundit dyfishoi Messias. Në përfundim të ndeshjes trajneri Pioli u shpreh se ‘ishte shumë e rëndësishme rikthimi te fitoret dhe se deri në fund do luftojmë të marrim të gjithë 3 pikëshat’.

Përtej rezultati për Milanin ka lëvizje të rëndësishme edhe për shitjen e klubit. Vetëm pak orë pasi në media qarkulloi lajmi se një kompani nga lindja e mesme ishte e interesuar për ta blerë ‘djallin’ nuk mungoi as konfirmimi. Presidenti i ‘investcorp’ uroi në Twitter Milanin për fitoren dhe vendin e parë, një mesazh i qartë se shumë shpejt ai mund të jetë numri 1 i klubit.

Ndërkohë ashtu si Milan edhe Inter ka bërë detyrën kundër Spezia-s, duke fituar 1-3 në transfertë. Për kampionët në fuqi të Seria A realizoi fillimisht Brozovic, më pas Lautaro dhe në fund Sanchez. Inter renditet në vendin e dytë me 69 pikë, 2 më pak se Milani kryesues, por zikaltërit vijojnë të kenë një ndeshje më pak se ‘djalli’.