Rinovimin e lejes së drejtimit, tashmë qytetarët mund ta marrin në çdo drejtori rajonale të shërbimit të Transportit Rrugor (DRSHTRR), pavarësisht vendbanimit të mbajtësit të lejes së drejtimit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, njoftoi se kjo është një tjetër risë që ofron DPSHTRR, në shërbim të qytetarëve.

Sipas DPSHTRR, qytetarët për të marrë lejen e drejtimit, mund të paraqiten në çdo drejtori rajonale me mjetin e identifikimit, certifikatën mjekësore me fotografi; lejen aktuale të drejtimit dhe kryejnë pagesën 3,500 lekë.

Për të gjitha rinovimet e lejeve të drejtimit të kategorisë B që janë me afat 3/5-vjeçar, ose janë me kufizime për shkaqe shëndetësore, tarifa është ulur në 2,000 lekë (-43%). Hapja e fashikullit për shërbim jashtë drejtorisë rajonale, ku është gjendja civile ka pagesë 600 lekë. Rinovimi i lejes së drejtimit në çdo drejtori rajonale të shërbimit të Transportit Rrugor lehtëson mesatarisht 6,900 qytetarë në vit duke u kursyer kohë dhe para. Qytetarët kursejnë në vit, 1,161,211 km rrugë, 15,444,107 Lekë dhe 2,936 ditë pune.