Çmimet e naftës u rritën të enjten pasi shqetësimet për furnizimin për shkak të një ndalimi të mundshëm të Bashkimit Europian (BE) për naftën ruse dolën në plan të parë, disa ditë pasi furnizimet e ulta nga Libia tronditën tregun.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent në Londër u rrit 1,32 dollarë, ose 1,24%, në 108,12 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane e Teksasit Perëndimor fitoi 1,26 dollarë, ose 1,23%, në 103,45 për fuçi.
Analistët thanë se paqëndrueshmëria e tregut ka të ngjarë të rritet përsëri së shpejti, me BE-në që ende po mendon një ndalim të naftës ruse si kundërpërgjigje për pushtimin e saj në Ukrainë. Diskutimet e BE-së për të ndaluar, ose hequr gradualisht blerjet e naftës ruse, ndikimi më i madh në çmimet e naftës së papërpunuar në ditët e fundit, janë në qendër të vëmendjes, çka mund të kufizojë çmimet e naftës së papërpunuar në një interval relativisht të ngushtë në baza ditore, shprehen analistët e tregut.
Libia, një anëtare e OPEC, deklaroi se vendi po humbte më shumë se 550,000 fuçi në ditë nga prodhimi i naftës, për shkak të bllokadave në fushat kryesore dhe terminalet e eksportit. Ndërkohë, perspektiva e kërkesës në Kinë vazhdon të ndikojë në treg, pasi importuesi më i madh në botë i naftës po heq ngadalë kufizimet e COVID-19 që kanë goditur aktivitetin prodhues dhe zinxhirët e furnizimit global. Fondi Monetar Ndërkombëtar theksoi rreziqet në Kinë kur uli parashikimin për rritjen ekonomike globale me gati një pikë përqindje.
Nga ana tjetër, terminali i Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik në Detin e Zi mund të kthehet në kapacitetin e plotë këtë javë, deklaroi ministri i Energjisë së Kazakistanit.
Tregu i naftës mbetet i tkurrur me Organizatën e Vendeve Eksportuese dhe aleatët e udhëhequr nga Rusia, së bashku të quajtur OPEC+, që po luftojnë për të përmbushur objektivat e tyre të prodhimit dhe me stoqet e naftës së papërpunuar në SHBA që janë ulur ndjeshëm në javën e mbyllur më 15 prill.
SCAN