Diplomacia duket e pafuqishme përballë konfliktit në Ukrainë. Me dështimin e misionit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres në Moskë, tonet bëhen më të ashpra. Putin përsërit se pa një marrëveshje për Krimenë dhe Donbasin nuk mund të ketë paqe. Në këtë situatë , sulmet ruse kundër jugut dhe lindjes së Ukrainës vazhdojnë dhe situata në rajonin separatist moldav të Transnistria po përkeqësohet.
Sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në mesazhin e tij të zakonshëm të natës drejtuar kombit dhe botës, akuzoi Rusinë e Putinit se dëshiron të copëtojë dhe rishikojë kufijtë e Evropës Qendrore dhe Perëndimore.
Nga sot Rusia ndërpret furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Gjiganti rus i gazit Gazprom ka paralajmëruar kompanitë energjetike Pnig dhe Bulgargaz se nga ora 08:00 e datës 27 prill do të ndërpresë furnizimin sepse nuk kanë rënë dakord të paguajnë në rubla, siç kërkohet nga Moska.
Sipas Londrës, Kievi ka të drejtë të sulmojë në tokën ruse me armë “të prodhuara në Britani”. Moska u përgjigj se ishte “gati për hakmarrje”. Moldavia ka vënë në gatishmëri forcat e saj të sigurisë pas një sërë shpërthimesh në Transnistria, rajoni separatist pro-rus ku janë stacionuar 1500 ushtarë nga Moska.