Shumë biznese të vogla në Greqi të cilat u përballën me pasojat e pandemisë tashmë po marrin një goditje tjetër, nga rritja e çmimeve të energjisë dhe inflacioni. Savas, i cili është pronar i një dyqani riparimi makinash në Athinë, dikur përdorte kondicionerin për t’u ngrohur por rritja e çmimeve të energjisë ka bërë që ai të heqë dorë. 60-vjeçari shpjegon arsyet e këtij vendimi.
“Kjo është për shkak të energjisë. Ne kursejmë energji nga i ftohti. Jashtë moti është i ftohtë, kështu që unë kam vendosur një perde plastike që i ftohti të mos hy brenda. Kështu që ajo e mban vendin të ngrohtë. Dhe ne nuk e ndezim kondicionerin“.
Por krahas rritjes së çmimit të energjisë elektrike, po shtrenjtohet edhe benzina, e cila është shkaktare e rritjes së çmimit të pjesëve të automjeteve.
“Një gomë, nga 100 euro tani është 125, gomat vijnë nga Gjermania, kështu që kostoja e transportit është e lartë, sepse çmimi i karburantit është rritur“.
Për shkak të të ardhurave të pakta, ai dhe familja e tij po përpiqen në çdo mënyrë të kursejnë. Sipas Autoritetit të Statistikave Greke, norma e inflacionit u rrit në 8.9 përqind në mars, një nivel rekord që nuk ishte parë prej 27 vitesh.
Shkak i inflacionit të lartë është bërë rritja e çmimeve të energjisë, lëndëve të para bujqësore dhe ushqimeve. Situata pritet të përkeqësohet sipas ekspertëve të ekonomisë të cilët parashikojnë që inflacioni do të arrijë kulmin në muajt korrik dhe gusht.