Nga Mero Baze/
Dje Sali Berisha “kërcënoi” ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, se do të ankohej në Departamentin e Shtetit për të, pasi po ndërhyn në punët e drejtësisë në Shqipëri. E kishte fjalën për rrezikun që ndjen se mund të mos ja njohë njeri pushtimin me forcë të zyrave të PD.
Po sillej si njeri formal, si njeri që njihte institucionet amerikane, që kishte hequr dorë nga akuzat se ato i kontrollon Sorosi etj.
Sot nuk vonoi përgjigja e Departamentit Amerikan të Shtetit. Shkurt, me dy fjali i thoshin Sali Berishës se kush është nën sanksione për minim të demokracisë dhe korrupsion domethënës familjarisht, duhet ta paguajë dhe do të paguajë.
Më shkurt, më qartë dhe më rëndë nuk mund të kthejë dikush përgjigje. Dhe e keqja për Berishën nuk përfundon te përgjigjia e rëndë.
Bashkë me SHBA, Bashkimi Europian po aktivizohet për të njehësuar ndëshkimet e SHBA dhe për t’i njohur ato si të tilla për Ballkanin Perëndimor, që është në proces integrimi në BE.
Një vetëdije e re europiane, sidomos pas konfliktit me Rusinë, po bën që individët të cilët duan të mbijetojnë nga nuancat e ndryshme mes SHBA dhe BE ndaj tyre, të mos kenë më asnjë shans të tillë.
Pas kësaj Sali Berisha ka një hall edhe më të madh. Nuk ka të bëjë thjesht me izolimin e tij brenda Shqipërisë, por me izolimin e tij politik dhe me heqjen e çdo mundësie spekulimi për t’i dhënë shansin që të bëjë “sikur po ankohet”.
Në fillim bëri sikur u “ankua” në Francë, por letra ka humbur rrugës. Pastaj dje e bëri publike deklaratën se do ankohet për ambasadoren në Uashington. Sot ai e ka të qartë se nuk ka kujt t’i shkruajë më.
Në çdo derë që po troket e gjen të mbyllur. Dhe më keq akoma. Po merr paralajmërime që e vetmja gjë që ata presin si lajm nga Sali Berisha, është lajmi se ai “më në fund pagoi” për minimin e demokracisë dhe përfshirjen në korrupsionin domethënës familjarisht.
Deri atëherë, i ka dyert hapur tek Ilir Meta për ndonjë darkë me verë para gjyqeve që i presin.