Ky sezon turistik pritet të rimëkëmbë plotësisht sektorin e turizmit, pavarësisht ndikimit nga lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve.
Prenotimet e deritanishme flasin për një sezon turistik në shifra të përafërta me ato të vitit 2019, që konsiderohet si sezoni më i suksesshëm në vend.
”Efekti i luftës është ndjerë vetëm në lidhje me tregun ukrainas të cilët e kanë të pamundur të udhëtojnë, ndërsa te pjesa tjetër e tregut të turizmit në ardhje nuk ka ndonjë efekt të dukshëm”, thotë Edmond Basho, administrator agjencie turistike.
Përveç turizmit patriotik, operatorët turistikë tregojnë se prenotime të shumta ka dhe nga turistët e Evropës lindore, ndërsa nuk do të mungojnë as skandinavët.
‘‘Ajo që është e konsiderueshme në Durrës dhe mbahet si pjesa më frytdhënëse për hotelerinë është tregu polak e çek dhe pak skandinavë. Nga Serbia ka gjithashtu rezervime të konsiderueshme. Pastaj ka dhe tregje më të vogla”.
Fluks lëvizjesh për pushime ka dhe në dalje. Të lodhur nga pandemia dhe kufizimet e saj, edhe shqiptarët synojnë të pushojnë masivisht jashtë vendit, ndonëse kriza e çmimeve pritet të ulë me 20-25% shpenzimet e familjeve shqiptare për pushime.
”Është një etje e tregut për të dalë. Jemi para faktit se kriza e çmimeve ka ndikuar te familjet shqiptare dhe kjo ka sjellë një reduktim të vlerave që ato do të shpenzojnë, por trendi për të udhëtuar jashtë vendit është shumë i ndjeshëm”.
Dubai mbetet destinacioni më tërheqës për momentin, ndërsa nuk mungojnë dhe pushimet e shkurtra 3-4 ditore në qytetet evropiane, ku Barcelona, Madridi, Milano dhe Amsterdami kryesojnë listën e preferencave gjatë kësaj pranvere me disa fundjava të gjata për shkak dhe të festave zyrtare.