Greqia ka rekomanduar dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19 për personat mbi 70 vjeç, ata që jetojnë në institucionet e kujdesit për të moshuarit, si dhe për qytetarët mbi 60 vjeç me sëmundje të rënda. Lajmin e ka bërë me dije presidentja e Komisionit Kombëtar të Vaksinimit, Maria Theodoridou, ndërsa sekretari i ministrisë së Shëndetësisë Marios Themistokleous, ka njoftuar se regjistrimi për kryerjen e dozës së katërt do të hapet ditën e enjte, më 7 prill, për grupmoshën mbi 80 vjeç dhe një javë më vonë për atë nga 70-79 vjeç.
Sipas specialistëve të pandemisë rekomandohet që doza e katërt me vaksinat e tipit mARN (Pfizer dhe Moderna) rekomandohet katër muaj pas vaksinimit me dozën e tretë. Kryetarja e komisionit të vaksinimit bëri të ditur se u vendos që fëmijët dhe adoleshentët e moshës 12-17 vjeç me imunosupresion dhe sëmundje me rrezikshmëri të lartë, t’u jepet një dozë përforcuese, 3 muaj pas dozës së dytë.
Njoftimet e reja për vaksinime u bënë në një ditë kur përsëri Greqia regjistroi numër të lartë infektimesh dhe vdekjesh. Në 24 orët e fundit u njoftuan 18.988 raste të reja me Covid 19, pacientët e intubuar janë 358, ndërsa kanë humbur jetën 70 persona. Në total prej fillimit të pandemisë në Greqi kanë vdekur 27.816 qytetarë nga koronavirusi.