Buqetës së shkollave të reja që do të hapen në shtator, i shtohet edhe një tjetër në zonën e njohur si Medreseja, në “Rrugën e Dibrës”. Në truallin e ish-ndërtesës së vjetër të UKT-së, Bashkia e Tiranës po punon për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare, e cila do të shërbejë edhe për ciklin parashkollor.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi kantierin e ndërtimit, ku nënvizoi se me shkollat e reja që po ndërtohen merr zgjidhje edhe çështja mësimit me dy turne.

“Këtë shtator hapim një buqetë shkollash të reja. Këtu më parë ka qenë godina e vjetër e UKT-së, në të cilën po ndërtojmë një shkollë pranë zonës së Medresesë. Me mundësinë që na dha Rindërtimi pas tërmetit, sot kemi një shkollë të re këtu, një tjetër në fillim të “Rrugës së Dibrës”, kurse te kthesa e parë në rrugën “Siri Kodra” kemi një shkollë tjetër. Pra, me këto 3 shkolla të reja praktikisht zgjidhet i gjithë segmenti i “Rrugës së Dibrës”, që është një nga zonat, jo vetëm më të vjetra, por edhe më të populluara të Tiranës, që do të vazhdojë të rritet”, tha ai.

Veliaj theksoi se deri më tani në kryeqytet janë 40 shkolla të reja, ndërkohë që shumë shpejt do të shtohen edhe 10 të tjera, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ndërtimi i institucioneve të reja arsimore ka rritur vlerën e pronës së qytetarëve. “Shumë shtëpi qerpiçi i lënë vendin një zhvillimi të ri. Ky zhvillim sjell familje të reja dhe një nga arsyet pse është rritur vlera e pronës në Tiranë është se kanë edhe shkollën shumë afër. Jemi sot në rreth 40 shkolla të reja, por do kemi edhe një paketë me 10 shkolla të reja këtë vit. Ne do debatojmë se në këtë vend nuk ecet pa bërë politikë, por të paktën nuk do debatojmë më për mësimin me dy turne. Fillojmë tani tek gjimnazi “Partizani”, do të hapim “Sami Frashërin” këtë pranverë dhe bëhemi gati për vitin shkollor”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e prindërve për të dërguar fëmijët e tyre në shkollën më të afërt. Ai i siguroi se shkollat e reja kanë të njëjtën cilësi në mësimdhënie. “Për sa kohë që ka shkolla në çdo lagje, mania e prindërve dhe mentaliteti i viteve ’70 –’80 me idenë: “ta çojmë fëmijën në filan shkollë se është më e mirë”, nuk ka pa bazë. Shkollat janë të gjitha të mira, patjetër në infrastrukturë, por me portalin edhe mësuesit shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme. Çerdhet dhe kopshtet i zgjidhëm në mandatin e parë. Këtë mandat të dytë të zgjidhim historinë e shkollave e të fokusohemi tek sfidat e tjera të qytetit”, theksoi ai.

Veliaj garantoi edhe banorët e prekur nga tërmeti se pavarësisht lëvizjes së çmimeve, premtimi do të mbahet edhe për ta. Ai nënvizoi se kantieret e shumta infrastrukturore në kryeqytet janë kthyer edhe në gjenerues të vendeve të punës. “Bashkia e Tiranës bashkë me qeverinë po shikon se si do stabilizojë edhe tregun, pra që çmimet t’i përafrohen vlerave të tregut që mos të kemi asnjë ndalesë në asnjë prej kantiereve tona. Garantoj gjithë qytetarët që u prekën nga tërmeti edhe ata që do të marrin kompensim te Bregu i Lumit se ne do ta mbajmë fjalën e do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune. Ka njerëz që duan ta nakatosin në politikë, s’kemi ç’iu bëjmë, jemi në një vend të lirë, mund të përdorësh dhe hallin tënd për hallin e partisë, por ky nuk është problemi ynë. Mjaft të mbajmë fjalën, të ecim me ritëm te Bregu i Lumit, të bëjmë lidhjen me Kamzën”, theksoi Veliaj.

Projekti i shkollës së re parashikon ndërtimin e një godine 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë e pajisur me laboratorë dhe me terrene sportive.