As fundjava e Pashkëve nuk i ndal masakrat ndaj civilëve në pushtimin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore u kthyen përsëri në Kiev, e ndërsa më vonë shpërthime u dëgjuan në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në Kiev, dhe në perëndim, në Lviv, njoftuan mediat lokale.
Zyra e prokurorit në rajonin verilindor të Kharkivit thotë se të paktën 10 persona janë vrarë, përfshirë një foshnjë 7-muajshe, dhe 27 të tjerë u plagosën si rezultat i një sulmi rus ndaj autobusëve që evakuonin civilët në fshatin Borova në rajonin lindor të Ukrainës, Kharkiv.
“Rusia e ka humbur Ukrainën përgjithmonë. Ka humbur gjithë botën. Rusia nuk do të pranohet askund tjetër,” – tha presidenti Zelensky. Presidenti i Ukrainës tha se 3000 ushtarë ukrainas kanë humbur jetën.
Ndërkohë më shumë se 900 trupa civilësh janë gjetur në rajonin e Kievit pas tërheqjes së Rusisë, duke përfshirë më shumë se 350 në Bucha, sipas shefit të policisë së zonës. Ministria ruse e mbrojtjes pretendoi se goditi një objektiv ushtarak në buzë të Kievit mbrëmë, pasi premtoi të rriste sulmet në kryeqytetin ukrainas.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal do të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme. Sakaq presidenti Vladimir Putin, ka kërcënuar Perëndimin, që mos t’i dërgojë më armë Ukrainës, pasi pasojat do të jenë të paparashikueshme.