Ministrja për Marrëdhëniet me Shtetit dhe Parlamentin, Elisa Spiropali i është kundërvënë ish-kryeministrit Sali Berisha, duke mos i ndalur akuzat dhe ironitë në drejtim të tij.
Ajo shigjetoi në këtë linjë edhe ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, që sipas saj vjen vonë në Kuvend se ngrihet vonë nga gjumi dhe ikën shpejt se i vjen sërish ora e gjumit.

Elisa Spiropali: Tre piramida ke ndërtuar në jetë, piramidat financiare që rrënuan Shqipërinë, piramidat arsimore që bënë analfabetë të rinjtë e Shqipërisë, dhe piramidën politike që në maj të së cilës nuk ngjitesh më. Edhe të kërcesh pupthi. Sepse ti nuk je gjenerali i ushtrisë së vdekur po je gjenerali i vdekur i një ushtrie që kujton se ti je gjallë.
Nuk është Flamuri këtu, por do të doja ta pyesja pse mendon që ju jeni gjallë. Politikisht e kam fjalën se kështu ju uroj të rroni 100 vjet e të shihni që ju jeni mësimi më i hidhur për Shqipërinë. Mësimi më i hidhur dhe pësimi më i madh për Shqipërinë. Uroj të jetoni të shihni veten dhe të jetoni për ne që të shohim se si nuk duhet të jemi, se si nuk kemi qenë, si nuk jemi dhe si nuk duhet të jemi kurrë. Unë mund të vazhdoja dhe më ngazëllimin tuaj Sali. Kishe një ngazëllim të posaçëm sot se ssi duket të gënjen fakti që për 7 muaj rresht, hapur edhe fshehurazi munde Lulin, që vjen këtu vonë se zgjohet vonë nga gjumi dhe ikën herët se i vjen sërish ora e gjumit. Por edhe 7 vjet e 7 jetë të jetosh, nuk e mund dot PS-në dhe Edi Ramën, por më tepër nuk e mund dot Shqipërinë. Ka bërë shumë rrugë, të ka lënë pas. Këto janë fitore provizore të vogla që mund të ngazëllejnë ata që mendojnë nga afër, se i ke marrë në qafë dhe ata që ke afër pasi mendojnë, o burra jemi gjallë e jemi në jetë, jemi në dritë të vërtetë. Po të gënjen, se hija është më e gjerë dhe më e madhe se drita që lëshoni aty-aty për të verbuar ata që ju ndjekin. Po folëm për arsimin, se ministrja e shpjegoi në mënyrë shteruese dhe nuk ka nevojë nga kioskat universitare në një system që sot certifikohet e rankohet, që patjetër ka problemet e vërteta. Por nga parkim për të papunët që e kishit kthyer arsimin, në një arsim cilësor të lartë që sot bën marrëveshje me universitete me besueshmëri të lartë, është një ndryshim shumë i madh. Flet vazhdimisht për krimin në qeveri, për hajdutërinë e të tjera, nuk dua të të kujtoj certifikatën që e ke fituar me shumë nder. Se s’kemi bërë asgjë për ta merituar. E ke merituar vetë. Edhe betejat që ke bërë në jetë, e ke merituar. Po qe me energji, patjetër që ja merr këtij që vjen në 12 dhe ikën në 12 e gjysmë. Këtë nuk e vë njeri në diskutim. Të dëgjova edhe jashtë që vijoje, flisje për aministinë, krimin kanabisin dhe harron, harron që ishe ti që dilje krenar në ekrane dhe thoshe ishte vendim politik të kanabizohej lazarati. Nuk mbajte kurrë përgjegjësi dhe nuk të thërriti kush aty ku duhej të shkoje sepse i kontrolloje ti, nuk guxonte njeri. Edhe hija jote i tremb sot, jo më prezenca jote në qeveri kur ishe kryeministër. I kishe vënë nën thundër, nuk kishte drejtësi. Lëre drejtësia e Kushtetës dhe popullit, drejtësia ishte e jotja. Ti me ta mbroje dhe të tutë. Kjo është e vërteta. Nuk the asnjë fjalë për raportin e DASH. Patjetër nuk kishe si të thoje, ikën si djalli Temjanit këtyre raporteve. Por ne nuk kemi asnjë kompleks të flasim as për raportet, i lexojmë me laps me letër. Shohim edhe kritikat. Ashtu siç nuk jemi entuziast dhe euforik të flasim para kohe për ato çështje që raporti thotë. Qeveria është mbështetësja më e fortë për procesin e vetingut, që është thelbësore që po pastron sot sistemi e drejtësisë nga ata të tutë që e mendonin drejtësinë pronë të babës. Nuk përmende as faktin që integriteti i trupës së policisë së shtetit përmendet në raport, dhe faktin që qeveria, shërbimi i brendshëm i policisë ka ndikuar që hetimi brenda policisë të jetë i besueshëm. E kujton kohën e çiftelisë, të gjithë rapsodë, me çifteli ku kanabisi lulëzonte, sepse ishte e partisë. I kishe vënë fytyrën Lazaratit.