Ministri francez i Financave Bruno Le Maire tha të martën se ekziston një vendosmëri e plotë mes 27 vendeve të Bashkimit Evropian për sanksione të tjera kundër Rusisë të cilat mund të kenë në shënjestër naftën dhe qymyrin. Njoftimi vjen ndërsa vazhdojnë të dalin prova se trupat ushtarake ruse kanë vrarë qëllimisht civilë ukrainas. Varësia e Evropës nga nafta, gazi natyror dhe qymyri rus duket se i ka vështirësuar mundësitë për unanimitet, por vrasjet në Buça, një qytet pranë Kievit, kanë rritur trysninë për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.
Deri më tani, Evropa nuk ka qenë e gatshme të vendosë nën shënjestër karburantet ruse për shkak të frikës se një gjë e tillë do ta zhyste ekonominë evropiane në recesion.
I pyetur nëse ekzistonte një vullnet politik për të vendosur sanksione ndaj naftës dhe qymyrit rus, një masë e sugjeruar këtë javë nga Presidenti francez Emmanuel Macron, zoti Le Maire tha se ka një mundësi për unitet mes 27 vendeve anëtare të BE-së për sanksione të reja.
Por zoti Le Maire nuk përmendi gazin natyror që Evropa importon nga Rusia, pasi kjo lëndë djegëse përdoret për ngrohje dhe arritja e një konsensusi do të ishte edhe më e vështirë për t’u siguruar. BE-ja plotëson rreth 40% të nevojave të saj për gaz natyror përmes importeve nga Rusia dhe shumë vende të bllokut, mes tyre Gjermania, janë kundër ndërprerjes së importit të gazit. Franca ka presidencën e radhës së Këshillit evropian. Zoti Le Maire foli përpara një takimi të ministrave të financave të BE-së në Luksemburg, ku ata pritet të diskutojnë rreth masave të reja të mundshme për të ndëshkuar Kremlinin.
Deri tani BE-ja ka qëndruar larg vendosjes së sanksioneve ndaj karburanteve ruse. Disa vende individualisht kanë njoftuar se do të bëjnë përpjekje për të ulur varësinë nga gazi rus. Polonia njoftoi planet për bllokimin e importetit të qymyrit dhe naftës që vjen nga Rusia, ndërsa Lituania tha se nuk do të përdorë më gaz natyror nga Rusia.