Luhatje moti, e diela me ulje drastike temperaturash. Mbi vendin tonë mbizotëron mot i kthjellët, me temperatura maksimale deri në 26 gradë C, por e diela parashikohet me ndryshime drastike.

Sinoptikania Lajda Porja tha se që të shtunën në mbrëmje kthehen vranësirat dhe të dielën priten reshje shiu dhe rënie temperaturash deri në 16 gradë C. Sipas Porjes, java që vjen do jetë e paqëndrueshme, me alternime ditësh me diell e reshje, por jo në intensitet të lartë. Ajo theksoi se deri me datë 25 prill situata parashikohet të jetë në këto kushte atmosferike.

“E gjithë java do jetë kështu, alternim i ditëve me diell dhe me shi. Deri më 25 prill reshjet do jenë të pranishme në territor. Në fakt dhe kjo e diel nuk është e ngjashme me të dielën e shkuar, kur kishte rrebesh, reshjet do jenë më të pakta. Parametri më problematik janë temperaturat e ulëta. Do jetë si një ditë vjeshte, jo shumë e ftohtë.
Reshjet do jenë të dobëta, me intensitet të ulët, nuk priten reshje intensive deri në mes të javës tjetër”, tha Porja.