The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës, ai nuk ishte i vetmi që mendonte se do të merrte shumë shpejt kontrollin e vendit. Shumë analistë perëndimorë prisnin gjithashtu që Kievi, të binte brenda 72 orëve. Trimëria dhe zgjuarsia ukrainase i hodhi poshtë ato supozime. Ndërsa lufta hyn në javën e saj të gjashtë, pala që po mendon fitoren nuk është Rusia, por Ukraina dhe do të ishte një fitore që ripërcakton hartën e sigurisë europiane.

Duke folur për The Economist në Kiev më 25 mars, Presidenti Volodymyr Zelensky shpjegoi se si fuqia e njerëzve është sekreti i rezistencës së Ukrainës dhe pse lufta po zhvendoset në favor të kombit të tij.

“Ne besojmë në fitore,” tha ai. “Kjo është shtëpia jonë, toka jonë, pavarësia jonë. Është thjesht çështje kohe.”

Fusha e betejës ka filluar të tregojë të njëjtën histori si presidenti. Pas disa javësh në të cilat përparimi i forcave ruse ngeci, forcat ukrainase kanë filluar të kundërsulmojnë. Më 29 mars Rusia tha se do të reduktojë forcat ushtarake. Tërheqja e saj mund të jetë vetëm taktike, por Rusia në fakt e ka pranuar se, për momentin, nuk mund ta marrë dot në kontroll Kievin, raporton abcnews.al.

Megjithatë, një pjesë e madhe e Ukrainës është në kontrollin e Rusisë dhe askush nuk duhet të nënvlerësojë fuqinë e forcave ruse. Fitorja për Ukrainën do të thotë të mbajë të paprekura brigadat e saj në Donbas dhe t’i përdorë ato për t’i ndaluar Rusisë kontrollin në ato zona.

Në lidhje më këtë gjë, Zelensky tha se Perëndimi duhet të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Rusisë dhe të dërgojë më shumë armë, duke përfshirë avionë dhe tanke. Sanksionet po shterojnë aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën për një kohë të gjatë. Armët po ndihmojnë Ukrainën të rimarrë kontrollin e vendeve. Por vendet e NATO-s po refuzojnë t’i japin vendit atë që presidenti ukrainas dëshiron.

Për Ukrainën, një fitore vendimtare do të pengonte një tjetër pushtim nga Rusia. Sa më bindëse të tregohet Ukraina për të zmbrapsur ushtrinë ruse, aq më e aftë do të jetë për t’i rezistuar kompromiseve që mund të minojnë paqen.

Fitorja do të ishte gjithashtu baza më e mirë për nisjen e një shteti demokratik të pasluftës që është më pak i korruptuar nga oligarkët dhe infiltrimi rus. Por edhe Perëndimi do të paguante një çmim të shtrenjtë. Ukraina jo vetëm që mund të fuqizojë kauzën e demokracisë, por gjithashtu do të rrisë sigurinë europiane.

Gjatë 300 viteve të imperializmit, Rusia ka qenë vazhdimisht në luftë me Europën. Ndonjëherë, me Poloninë dhe Finlandën. Herë të tjera, me Gjermaninë naziste dhe Francën, ku shihej si një kërcënim vdekjeprurës ndërsa në fund ra viktimë e agresionit, raporton abcbnews.al.

Një Ukrainë e fortë dhe demokratike do të pengonte ekspansionizmin e Rusisë sepse kufijtë e saj do të ishin të sigurt.

Rusia, duke ndjekur shembullin e Ukrainës, do të kishte më shumë gjasa t’i zgjidhte problemet e saj me reforma në vend dhe jo me aventura jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara do të kishin më shumë kohë për tu marrë me Kinën dhe rivalitetin në rritje mes dy vendeve.

Mjerisht, shumica e Perëndimit është shumë larg këtij shansi historik. Amerika po udhëheq në mënyrën e duhur, pavarësisht vetos për dërgimin e avionëve në Ukrainë.

Por Gjermania ka një tjetër këndvështrim për vendosjen e sanksioneve, ajo po balancon presionin nga aleatët e saj dhe të opinionit publik kundër ruajtjes së lidhjeve të saj tregtare me Rusinë, furnizuesin e pjesës më të madhe të naftës dhe gazit të saj natyror.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pretendon se flet në emër të aleatëve perëndimorë kur argumenton se furnizimi me armë të rënda që i duhen Ukrainës do t’i kthente ata në “bashkëluftëtarë”.

Ndoshta Gjermania dyshon se Ukraina mund të lërë pas të kaluarën e saj post-sovjetike. Është e vërtetë që, pasi protestat në Maidan rikthyen demokracinë në vitin 2014, vendi nuk ishte në gjendje të largonte korrupsionin dhe inercinë e tij politike. Dhe pas sulmeve të shumta ruse, ekonomia e Ukrainës do të jetë e shkatërruar. Megjithatë, BE-ja mund të ndihmojë që kjo gjë të ndryshojë duke filluar punën për anëtarësimin e Ukrainës që tani.

Ekziston rreziku që Brukseli të shtrëngojë kushtet për Ukrainën, dhe diçka e tillë duket sikur Europa po denjon ta lejojë atë ti bashkohet bllokut. Në vend të kësaj, BE-ja duhet të mirëpresë Ukrainën, siç u mirëprit Europa Lindore në fillim të viteve 1990.

Kjo kërkon ndihmë bujare për të rindërtuar ekonominë, si dhe mbështetje politike dhe durim. Shqetësimi tjetër është ai i Macron: se NATO do të provokojë Rusinë. Që nga fillimi i kësaj lufte, kur ai foli për “pasoja të tilla që asnjë vend nuk i kishte parë”.

Putin ka lënë të kuptohet se përfshirja e Perëndimit mund të çojë në përdorimin e armëve bërthamore. Prandaj, Perëndimi e ka bërë të qartë se NATO nuk do të luftojë kundër forcave ruse sepse, nëse do të luftonin, lufta mund të rezultonte katastrofike.

Megjithatë, edhe menjanimi sjell gjithashtu rreziqe. Kufizimi i ndihmës ukrainase do të nxiste Rusinë në imponimin e një paqeje të paqëndrueshme dhe rrjedhimisht të përkohshme. Në të kundërt, dërgimi i armëve dhe vendosja e sanksioneve më të fuqishme do të shënonin një ndryshim të madh.

Dhe këtë javë, duke u përballur me suksesin ukrainas, Rusia ndaloi operacionin ushtarak në veri. Për të gjitha këto arsye, më e mira është që NATO të përballet me kërcënimin e fshehtë të Putinit dhe ta bëjë të qartë se një mizori bërthamore ose kimike do të çonte në izolimin e plotë të Rusisë.

Konflikti është i paparashikueshëm. Historia është e mbushur me luftëra që ishin menduar të ishin të shkurtra, por që u zvarritën me vite. Ukraina e ka fituar fazën e parë thjesht duke mbijetuar. Tani ajo duhet të përparojë, dhe për këtë arsye Zelensky ka nevojë për ndihmë të dyfishtë nga Perëndimi.