Ndërkohë që luftimet vazhdojnë dhe po ashtu edhe negociatat mes palëve mund të përpiqemi të skicojmë disa hipoteza për flegmatizimin e krizës ukrainase, duke u kuptuar se e vetmja zgjidhje në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare është ajo e tërheqjes së trupave ruse në kufijve të saj dhe zbatimi i shpejtë i marrëveshjeve “Minsk 2”, ndoshta të përditësuara, të cilat gjithashtu do të linin të pazgjidhur çështjen e Krimesë. Por le të përqendrojmë vëmendjen te Donbas-i, i cili në synimet e atyre që negociuan marrëveshjen “Minsk 2” duhet të kishte marrë një statut të autonomisë së gjerë, duke mbetur nën sovranitetin e Kievit, por që nga viti 2014 i ka parë ambiciet e tij të frustruara.

Kjo i hapi vendin një rebelimi, një lufte të vërtetë civile, me mijëra viktima nga të dyja palët, irredentistët dhe besnikët. Ky konflikt i brendshëm i ka dhënë Kremlin-it casus belli-n për pushtimin që po shohim sot dhe zgjidhja e tij do të jetë një nga pikat kyçe të marrëveshjeve të ardhshme. Dy rajonet që përbëjnë Donbas-in, ai i Donjeck-ut dhe ai i Lugansk-ut, secila prej të cilave më e madhe se Lombardia në Itali, nuk janë aspak homogjene nga pikëpamja e çështjes gjuhësore dhe e qëndrimit politik.

Në të dyja zonat një grup i madh, në kufi me Rusinë e shikon Moskën si një pikë referimi, ndërsa për palën tjetër, besnikëria ndaj qeverisë qendrore në Kiev është një objektiv i domosdoshëm.

Këtë përçarje mund ta shohim sot në terren, me palët që luftojnë njëra tjetrën, trupat ruse nga njëra anë dhe ato ukrainase nga ana tjetër. Një zgjidhje e ardhshme domosdoshmërish duhet të marrë parasysh situatën, pasi në të kundërt, cilado qoftë struktura e ardhshme e dy rajoneve, pavarësia, aneksimi në Rusi apo autonomia brenda Ukrainës, problemi i pazgjidhur i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme dhe kundërshtare do të rrezikonte të shkaktonte një tjetër “konflikt të ngrirë”, të ngjashëm me ato në Moldavi, Gjeorgji, Nagorno Karabakh, me një rrezik të lartë shpërthimesh periodike.

Çfarë na tregon historia e kohëve të fundit në rrethana që paraqesin një farë analogjie? Konsideroni ngjarjet në Kosovë: pas hyrjes së trupave të NATO-s në qershor 1999, statusi i rajonit ishte objekt i një pune intensive diplomatike, duke kulmuar me planin e hartuar nga Martti Ahtisaari, i cili u refuzua nga të dyja palët.

Më 17 shkurt 2008 Prishtina shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë, e njohur vetëm nga 98 anëtarë të OKB-së, sipas kufijve administrativë ekzistues dhe pa marrë parasysh shpërndarjen etnike ndërmjet komunitetit shqiptar dhe serb, këta të fundit kryesisht u përqendruan në veri të lumit Ibër.

Një vijë demarkacioni e vendosur përgjatë lumit do të kishte zgjidhur në rrënjë problemin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve, por u preferua të mos thyhej tabuja e paprekshmërisë së kufijve, me rezultat që sot, 13 vjet pas ndërprerjes së armiqësitë, në një territor pak më të madh se Umbria është ende e nevojshme të mbahet një kontingjent prej 3800 ushtarësh për të parandaluar rindezjen e konfliktit.

Prandaj, duke iu rikthyer çështjes së Donbas-it, mund të jetë e përshtatshme të merren parasysh vështirësitë e bashkëjetesës nën një administrim të vetëm të komuniteteve të tilla antagoniste. Të verifikohet nëse do të ishte e mundur të përcaktohet një vijë demarkacioni brenda dy rajoneve, midis atyre që dëshirojnë të mbajnë një lidhje të ngushtë me Kievin dhe atyre që preferojnë të lidhen në një formë me Rusinë.

Identifikimi i një kufiri të tillë sigurisht që do të ishte një ndërmarrje e mundimshme, por ndoshta do të çonte në një gjendje përfundimtare më të pasigurt dhe më pak provokuese për një rindezje të armiqësive.

Një opinion i shkruar nga Gjenerali Vincenzo Camporini për italianen Corriere Della Serra.

Camporini ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes në Itali nga 12 shkurt 2008 deri në 2011. Ai u bë shef i shtabit të Forcave Ajrore Italiane më 20 shtator 2006.

/Albanianpost.com